Maqedoni

Ahmeti për kryeministrin e parë shqiptar: Nëse i kishe thënë dikujt para 20 vjetëve, do të kishin thënë se ke nevojë për terapi neuropsikiatrike

Para votimit të Talat Xhaferit për kryeministër të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se të gjithëve sot u shkëlqejnë sytë nga gëzimi, përcjell TV21. Ahmeti tha se nëse para 20 vjetëve do të thuhej se ky post do merrej nga një shqiptar, atëherë do të thoshin se ky njeri nuk është mirë me shëndet.

“Të gjithë që i kam takuar deri më tani, u shkëlqejnë sytë nga gëzimi, ministrat deputetët. Është vërtet ditë për t’u gëzuar. Nuk është sukses i vogël për një qerek shekulli, shqiptarët arrijnë majat e institucioneve dhe drejtimin e shtetit. Me simbole kombëtare, me universitete, me funksione të mirëfillta, por edhe të suksesshme. T’i kishe thënë dikujt para 20 vjetës që kjo do të ndodhë, të gjithë do të kishin thënë, duhet në trajtim dhe terapi neuropsikiatrike me e çu, sepse nuk është në rregull ky njeri, por këto janë ngjarje që kanë ndodhur, janë ngjarje të vërteta”, tha Ahmeti.