Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve po e arsyeton misionin e vet
Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, e udhëhequr nga drejtori dr. Ylber Sela, po e arsyeton misionin e vet, duke vënë në lëvizje një mori mekanizmash që si pikësynim kanë ngritjen e kulturës gjuhësore në një rrafsh më të gjerë publik, kulturor e social tek ne. Ky mision po vjen duke u formësuar me iniciativat e reja, siç është edhe ky program për trajnimin e përkthyesve dhe lektorëve në të gjitha institucionet e vendit , që si objektiv kryesor ka unifikimin e terminologjisë administrative, me ç’rast softueri i përkthimit për institucionet qendrore do të furnizohet edhe më tej me fjalë dhe shprehje që do të ndihmojnë në avancimin e statusit të gjuhës shqipe, si gjuhë e administratës dhe e komunikimit ndërinstitucional.
Një gjuhë bëhet plotësisht funksionale vetëm atëherë kur institucionet arrijnë të zbatojnë një politikë kadrovike efikase që do të ishte në përputhje me nevojat dhe objektivat e zyrtarizimit të asaj gjuhe. Ky konstatim bëhet edhe më eksplicit nëse analizojmë gjendjen e institucioneve tona, ku fatkeqësisht në të shumtën e rasteve mungojnë përkthyesit nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas, si dhe lektorët e gjuhës shqipe. Prandaj e shoh me mjaft admirim punën që po bën Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, e cila ka marrë për sipër të ndihmojë në aftësimin profesional të përkthyesve dhe lektorëve, duke i dhënë një kuptim më të plotë çështjes së statusit zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet ku është i domosdoshëm komunikimi shumëgjuhësh.
Nëse më pare kemi mundur me arsye të jemi të pakënaqur me kapacitetet ligjore të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, tani mund të themi se ky hendikep është tejkaluar, pasi që politika gjuhësore ka pësuar avancime në disa segmente që i jep gjuhës shqipe një fushëveprim më substancial. Por, kjo nuk do të mjaftonte nëse nuk punojmë të gjithë bashkërisht në instalimin një fryme shoqërore në një rrafsh më të gjerë multietnik ku kultura gjuhësore do të kuptohej si domosdoshmëri e interaksionit dhe dialogut në mes të pjesëtarëve të ndryshëm të shoqërisë. Në këtë drejtim një kontribut të jashtëzakonshëm do të mund të jepnin titullarët e institucioneve, të cilët efiqencën administrative e organizative do ta bazonin edhe në hapësirën gjuhësore, si një nyje që lidhë multilingalitetin me realitetin e ri politik, ku gjuha shqipe duhet të trajtohet si e barabartë në komunikimin zyrtar, në të gjitha ato instanca ku është i domosdoshëm sigurimi i shërbimeve edhe në gjuhën amtare të klientit.
Uroj që Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve të vazhdojë me tempo të përforcuar në arritjen e synimeve të saja që do të ishin shprehje e reflektimeve të reja në fushën e politikës gjuhësore, ku gjuha shqipe do të duhej ta ketë kujdesin maksimal, duke filluar nga ata që e kanë gjuhë amtare, e pastaj edhe nga ata që këtë gjuhë e kanë mjet të domosdoshëm të komunikimit brendainstitucional.
Ju faleminderoj për kujdesin që më ndoqët!
Dr. Skender ASANI- drejtor i ITSHKSH