Maqedoni

Agim Lleshi, iku nga vendlindja për shkak të presionit jugosllav, sot biznesmen që shoqërohet me figurat e fuqishme të Nju Jorkut

Kurbeti gjithmonë ka pasur vështirësitë e veta. Mirëpo për shqiptarët e ish Jugosllavisë, vështirësitë e kurbetit kanë qenë të dyfishta. Në njërën anë është dashur të punojnë për të mbijetuar ne kurbet, e në anën tjetër është dashur të kursejnë për të ndihmuar familjet e veta në vendlindje.
Në njërën anë është dashur të largohen nga vendlindja, për shkak të presionit të shtetit, në anën tjetër është dashur të dërgojnë para në po atë shtet nga presioni i të cilit kanë ikur, sepse përndryshe familjet e tyre nuk kanë mundur të mbijetojnë.
Punë në orar, punë pas orari. Punë në ndërrimin e parë, punë në ndërrimin e dytë. Ky ka qenë fati i shumë kurbetqarëve tanë.
Ata që kanë qenë këmbëngulës, kanë arritur më vonë të krijojnë edhe bizneset e tyre.
Këtë fat e ka pasur edhe Agim Lleshi, i cili sot është figurë e respektuar në komunitetin shqiptar në Nju Jork. Të gjitha flasin fjalë të mira për të. Njeri i qetë, punëtor, familjar dhe i gatshëm të kontribuojë sa herë që ka nevojë.
I tillë ka qenë edhe në vitet e 90-ta kur është ndihmuar organizimi i shqiptarëve, i tillë ka qenë edhe në fund të viteve 90-ta dhe fillim të shekullit 20, kur ishin vitet më të vështira për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe mbarë ish Jugosllavisë. Shumë mërgimtarë tanë në Amerikë nuk kanë kursyer për të ndihmuar, e në mesin e tyre ka qenë edhe Agim Lleshi, njësoj si daja i tij, Turan Rusi, që konsiderohet një ndër biznesmenët më të mëdhenj shqiptarë në Amerikë dhe në botë.
I larguar para 36 viteve nga vendlindja, për t’i shpëtuar presionit të atëhershëm jugosllav, fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë për Agimin. Punë ditë e natë, me orar e pa orar, për të kursyer ndonjë dollarë më tepër. Por frytet nga puna e palodhshme kanë ardhur në momentin e duhur. Ai ka themeluar kompaninë e tij dhe rezultatet nuk kanë munguar.
Sot Agimi nuk është më punëtor krahu, por biznesmen i respektuar. Ai është pronar i kompanisë “All Roofing Corporation”, kompani që vepron në sferën e ndërtimtarisë. Është kompani që zgjeron veprimtarinë e saj dita ditës dhe që shtrin aktivitetet në të gjitha pjesët e Nju Jorkut.
Suksesi që ka arritur, i ka mundësuar sot të shoqërohet me figura të fuqishme politike të Nju Jorkut, duke shfrytëzuar çdo hapësirë për të lobuar në favor të shqiptarëve.

Sot Agimi është i angazhuar vetëm me 50 për qind në biznes. Ua ka lëshuar radhën të rinjve. Për biznesin kujdesen djemtë e tij Valoni e Xhevdeti.
“Kjo është kënaqësia e një prindi, kur fëmijët e tejkalojnë suksesin e tij”, shprehet gjithmonë ai. Por thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet edhe më tej.

Suksesi i arritur në kryeqendrën e botës, nuk e ka larguar Agimin nga Dibra e lindjes. Ai shfrytëzon çdo mundësi që të vizitojë qytetin e lindjes dhe të çmallet me shokë e familjarë.