Maqedoni

Afrim Gashi takohet me Albin Kurtin, biseduan për gjendjen e gjithmbarshme shqiptare

Sot, gjatë qëndrimit në Kosovë, kryetari i Alternativës Afrim Gashi është takuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Gashi në takim është shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Zeqirija Ibrahimi dhe nenkryetari Admirim Aliti.

“Sot, gjatë qëndrimit në Kosovë, kishim kënaqësi që, bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm Zeqirija Ibrahimi, dhe Nënkryetarin Admirim Aliti, ta takojmë Kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe Kryeparlamentarin e saj, miqtë tanë Albin Kurti dhe Glauk Konjufca. Në takim ishte e pranishme edhe këshilltarja e Kryeministrit për Luginën e Preshevës, znj. Ardita Sinani.
Me këtë rast patëm mundësi të bashkëbisedojmë për gjendjen e gjithmbarshme shqiptare, për zhvillimet e reja në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, ndërsa ne përfituam nga rasti që Kryeministrin Kurti ta njoftojmë edhe me zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut.
Që nga historia, letërsia, filozofia e demografia, e deri te politika, ekonomia e integrimi, diskutimet me kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentarin Konjufca jo vetëm që janë të këndshme e të thella, por njëherazi edhe frytdhënëse e në dobi të dy vendeve tona dhe të kombit tonë”, deklaroi pas takimit kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Paraprakisht Gashi dhe delegacioni i Alternativës kanë marë pjesë në përkujtimin e 25 vjetorit të Masakrës së Reçakut.

“ Dyzetepesë shqiptarë të paarmatosur u vranë dhe u masakruan mizorisht nga policia dhe ushtria barbare serbe si sot 24 vjet më parë në Reçak. Dyzetepesë jetë u shuan për të jetuar përgjithmonë në kujtesën tonë dhe të botës, si dëshmi për krimet e Serbisë kundër njerëzimit.

Sot në Reçak kujtuam me dhimbje këtë ditë dhe u lutëm për shpirtin e 45 bashkëkombasve, martirë për liri.

Krimet serbe në Kosovë nuk do të harrohen dhe për to duhet të ketë përgjegjësi e drejtësi!

Lavdi të rënëve!”, tha Gashi pasi prezantoi në përkujtimin në Reçak.