Maqedoni

“Administratorët”, Paunovski: Nuk kam marrë kurrfarë vërejtje nga Qeveria

Sipas kodit qeveritar të etikës, një zyrtar shkarkohet edhe nëse nuk pajtohet publikisht me një vendim të caktuar të Qeverisë. Sidoqoftë, në mënyrë që shkarkimi i tij të ndodhë, duhet të iniciohet nga Zëvendëskryeministri Lupço Nikollovski, i cili është përgjegjës për monitorimin dhe zbatimin e kodit të etikës, dhe jo nga Kryeministri Zoran Zaev.

“… Pres që të bëhet propozim për shkarkimin e tij. Edhe atë nga Lupço Nikolovski “, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Në rastin e drejtorit të inspektoratit të tregut, Stojko Paunovski, Zaev tashmë është i vendosur ta shkarkojë, ndërsa Kodi ofron edhe masë më të butë. Ne pyetëm në Qeveri nëse Nikolloviki e ka paralajmëruar Paunovskin për sjelljen e tij, por nuk morëm përgjigje, as nga shërbimi për shtyp, as nga Zëvendëskryeministri Nikollovski në thirrje telefonike. Neve na u përgjigj vetëm Paunovski.

“Nuk kam marrë informacion të këtillë”, tha për Alsat Stojko Paunovski- drejtor i ISHT.

Kodi i etikës kërkon që Paunovski duhet të miratojë shpërndarjen e nëpunësve, megjithëse ai beson se ata nuk do ta bëjnë punën. Drejtori gjithashtu mund të marrë gjobë, por sipas një ligji tjetër.

“Gjobë në shumë prej 2,000 euro në kundërvlerë të denarit do të shqiptohet për kundërvajtje personit përgjegjës në institucion nëse nuk i harmonizojnë aktet për organizimin e brendshëm dhe aktet për sistemimin e vendeve të punës në përputhje me nenin 5 të këtë ligj”, thuhet në Nenin 7 të Ligjit për transferimin e nëpunësve në MSPMK.

Punonjësit e Inspektoratit Shtetëror të Tregut mbështetën drejtorin e tyre Stojko Paunovski. Nesër, ata do t’i paraqesin peticion Qeverisë duke kërkuar takim me kryeministrin Zaev, pasi njoftoi shkarkimin e tij për shkak të kundërshtimit dhe refuzimit të rishpërndarjes së nëpunësve.