Rajon - Botë

Abazoviq e pret Erdoganin në aeroportin e Podgoricës

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan mbërriti për vizitë në Mal të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan mbërriti në aeroportin “Golubovci” rreth mesditës i shoqëruar nga një delegacion ndërsa pas ardhjes në Podgoricë do të niset për në Cetinje, ku do të pritet nga presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç me nderimet më të larta shtetërore

Është planifikuar që Gjukanoviç me bashkëshorten të shtrojnë një drekë solemne në nder të mysafirit të lartë dhe bashkëshortes së tij. Përveç anëtarëve të delegacioneve, të ftuar në drekë do të jenë zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç, kryetari i Cetinjes, Aleksandar Kashçelan, kryetari i Partisë Boshnjake Ervin Ibrahimoviç dhe Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziç.

Në një program të veçantë, zonja e parë e Malit të Zi, Lidija Gjukanoviç do të presë zonjën e parë të Republikës së Turqisë, Emine Erdoğan. Ato do të vizitojnë Muzeun e Mbretit Nikolla në Cetinje dhe një ekspozitë në platonë para muzeut.

Erdoğan gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi do të takohet edhe me kryetarin e parlamentit, Aleksa Beçiq dhe kryeministrin Zdravko Krivokapiç ndërsa është planifikuar edhe vizitë në Xhaminë e Nizamit dhe Medresenë “Mehmet Fatih”.

Presidenti turk të premten zhvilloi një vizitë në Bosnjë e Hercegovinë, gjatë së cilës ai vizitoi Varrezat e Dëshmorëve Kovaçi në Sarajevë, hapi Xhaminë e Bashçarshisë dhe fali namazin e xhumasë. Pasdite, ai u takua me kryesuesin dhe anëtarët e Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiç, Shefik Xhaferoviç dhe Milorad Dodik.