A po përzihet politika në rastin e Drin Ahmetit? Ja si përgjigjet Kovaçevski!
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se politika nuk ka gisht në procedimin penal ndaj Drin Ahmetit, nipit të kryetarit të BDI-së Ali Ahemti, i cili më 30 dhjetor u arrestua pasi në veturën e tij u gjetën shumë mjete piroteknike. Kreu i Qeverisë thotë se i gjithë rasti i është dorëzuar Prokurorit përkatës, i cili duhet të vepron në përputhje me ligjin sikur ndaj çdo qytetari tjetër.
Ndërkohë, nga Prokuroria Publike akoma nuk ka një përgjigje nëse ka mbaruar ekspertiza e mjeteve piroteknike të sekuestruara në veturën e Drin Ahmetit dhe nëse është saktësuar vepra penale për të cilën do të ndiqet. Në veturën e Drin Ahmetit me targa të Shqipërisë, policia sekuestroi rreth 750 mjete piroteknike vlera e të cilave arrijnë në disa mijëra euro. Ditë më parë Drin Ahmeti tha se fishekzjarrët janë blerë në mënyrë të rregullt dhe ishin dhurata për nipërit dhe mbesat e tij.
“Bëhet fjalë për kontroll të rregullt gjatë të cilët është identifikuar një person i cili ka poseduar mjete piroteknike. I gjithë rasti i është dorëzuar Prokurorisë Publike për të proceduar sikur ndaj çdo qytetari tjetër”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër./Alsat