A po kthehet vaksinimi i rregullt kundër Covid-it?
Numri i personave të infektuar me Covid-19 është në rritje dhe virusi po qarkullon në të gjithë botën, paralajmëron OBSH, duke u bërë thirrje autoriteteve të intensifikojnë fushatat e vaksinimit, veçanërisht për grupet e rrezikut.
Sipas të dhënave të tyre të fundit, përqindja e testeve pozitive është rritur në 84 vende, ndërsa në Evropë pozitiviteti i testeve është mbi 20%. Maria Van Kerhove nga OBSH-ja thekson se në disa vende ka edhe rritje të shtrimeve dhe vdekjeve dhe se ka rrezik për mutacione të reja.
“Jam e shqetësuar. Ne nuk jemi ulur këtu duke u përpjekur të flasim bazuar në frikë. Ajo që ne po punojmë nuk janë skenarë. Si individë, është e rëndësishme që ne të ndërmarrim hapa për të reduktuar rrezikun e infeksionit dhe sëmundjeve të rënda, duke përfshirë sigurimin që ju të keni marrë një dozë të vaksinimit Covid 19 brenda 12 muajve të fundit, veçanërisht nëse jeni në një grup të rrezikuar”, tha Dr Maria Van Kerkhove – OBSH.
Rritje ka edhe numri i të infektuarve me Covid në Maqedoni, transmeton portali Lideri.mk. Para 3 javëve ishin 30, ndërsa javën e kaluar janë regjistruar 78 raste pozitive – njofton Zlate Mehmedoviq nga Komisioni për Sëmundje Infektive. Nga aty rekomandojnë që të jenë veçanërisht të kujdesshëm personat mbi 65 vjeç, si dhe personat që kanë sëmundje shoqëruese.
“Të kenë kujdes të mos lëvizin shumë në dhoma të mbyllura, ku ka frekuencë të madhe njerëzish, të ketë ajrosje të shpeshtë të vendeve ku njerëzit kanë qëndruar më gjatë. Nëse është e mundur mbani pajisje mbrojtëse personale si maskë mbrojtëse për frymëmarrjen. Ajo që është pozitive është se nuk po rritet numri i shtrimeve në spital dhe numri i pacientëve që kanë nevojë për mbështetje oksigjeni nga të infektuarit me virusin Sars Covid, deklaroi Zlate Mehmedoviq.
Siç transmeton Lideri.mk, Mehmedoviq thotë se tani për tani interesimi për vaksinim tek qytetarët është i ulët, por për shkak të rritjes globale të të infektuarve, nga Ministria e Shëndetësisë kanë marrë informacione se në shtator do të arrijnë sasi shtesë të vaksinave.
Gjithashtu, OBSH bën me dije se të paktën 40 sportistë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të Parisit kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 dhe një rritje e numrit të të infektuarve është analizuar përmes ujërave të zeza në qytete.