Maqedoni

A po distancohet Ali Ahmeti nga Grubi e Osmani, pse nuk erdhi mbrëmë në Çair?!

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë – Artan Grubi i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, si dhe ministrat e Arsimit dhe Ekonomisë, Jeton Shaqiri dhe Kreshnik Bekteshi mbrëmjen e së mërkurës kanë takuar për një bashkëbisedim banorët e këshillit vendor “Skender Metallari” të degës së BDI në Çair të Shkupit.

Për herë të parë në një takim të formatit të tillë nuk ka qenë prezent kryetati i BDI-së Ali Ahmeti, i cili ka prezantuar rregullisht krah ministrave të BDI-së në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit. Për këtë arsye, kryesisht nga përkrahës të ashtuquajturit “Grupi i Zjarrit” është ngritur dilema mos ndoshta Ahmeti është distancuar nga Grubi, Osmani dhe krahu i tyre i proklamuar si “Ahmetistët”.
Por nga ky krah demantojnë këto “spekulime”, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për ndryshim të strategjisë së organizimit të takimeve, sipas të cilës strategji, Ahmeti nuk do të paraqitet në çdo takim me Këshillet Vendore, por vetëm në takime që do të konsiderohen si takime qendrore.

Për dallim prej “Ahmetistëve”, Grupi i Zjarrit vazhdon takimet në format të plotë dhe sot do të takohen me banorët e Hasanbegut.

Grubi: Kryetari po promovon koncept për ti bashkuar gjithë shqiptarët

Në takimin e mbrëmshëm në Çair, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi mes tjerash ka folur edhe për iniciativën e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti për krijimin e “Frontit për Europë”.

“Po flasim për një koncept të ri që po e promovon kryetari për ti bashkuar gjithë shqiptarët, për ti bashkërenditë përpjekjet tona për integrim në Bashkimin Evropian. Po flasim këtu për të gjitha partitë politike edhe BDI, edhe Aleancë, Alternativë, PDSH, Besa dhe gjitha partitë që ekzistojnë, t’i unifikojmë përpjekjet tona dhe të mundësojmë ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim që ta zhbllokojmë ecurinë drejt BE-s. Bisedimet janë zhvilluar me Aleancën, sot edhe me Alternativën si duket po arrihet një farë bashkimi midis shqiptarëve, por edhe me partitë tjera politike maqedonase, LSDM, PRSD, PLD…, partitë turke, rome dhe të gjithë të tjerat që janë pro BE-së, besojë se shumë shpejt kjo do të fillon të zyrtarizohet”, tha Grubi në fjalën e tij.

Ai ka numëruar disa nga investimet kapitale që po bëhen në Çair, duke theksuar se gjithçka që ka qenë në dobi të qytetarëve e që është kërkuar nga Qeveria të miratohet ka marrë dritë jeshile.

“Nisma e asaj çerdhe famoze, si projekt i Qeverisë, dhe fatmirësisht i ka rënë në hise Bujarit që ta udhëheq atë mbledhje të Qeverisë, dhe është marrë ai vendim. Ne na bie në hise që në këtë Qeveri ta shtyjmë këtë projekt. Bëhet fjalë për çerdhen më të madhe në vend, 2 milionë euro çerdhe, më e madhja në shtet, me kapacitetin më të madh, nuk ka më të madhe. I kemi ndarë 900 mijë euro për pishinën në Çair, i ndamë 450 mijë euro për sallën e “Partizan” dhe i kemi transferuar në llogari të komunës së Çairit. Tash po bëhet rruga te “Fafa” 340 mijë euro prej Qeverisë, pishina te “Shqiponja”. Gjitha kërkesa që janë dorëzuar në Qeveri janë aprovuar, përfshirë edhe projektet për shkollat. Por jo vetëm për Çairin edhe për gjitha komunat tjerat”, tha Grubi.

Kurse nënkryetari i BDI-së, deputeti Arbër Ademi së bashku me deputetin Berat Ajdari sonte kanë takuar qytetarët e fshatit Çerkez të Kumanovës, ku kanë diskutuar lidhur me zhvillimet politike në vend dhe për problemet me të cilat përballen qytetarët në përgjithësi.

Kujtojmë se, deputetët Ademi dhe Ajdari gjithashtu kanë zhvilluar takim me qytetarët e Lagjes Dardania në Kumanovë.