A kishte fakte për parregullsi? Shehu e Demiri sqarojnë çfarë ndodhi gjatë votimit për ankesat
“Nuk është verifikuar gjendja faktike se çfarë ka ndodhur në ato vendvotime. Çdonjeri prej nesh pyeste, po, këta votues, ku janë, çka janë dhe çfarë ka ndodhur? Që ta verifikojmë gjendjen faktike ne e hapëm materialin, mirëpo edhe në këtë pjesë nuk mundeshim ta shohim se me të vërtetë në ato vendvotime çfarë ka ndodhur? Prandaj kërkova të vijnë dhe anëtarët e këshillave zgjedhor të cilët mund t’i pyetni. Kanë qenë administrata e zgjedhur rastësisht nga KSHZ. Mund të shkoni, mund t’ua japim si emra, t’i pyetni anëtarët e këshillave zgjedhor se çfarë ka ndodhur në ato vendvotime”, tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.
Shehu thotë se ka kërkuar që të publikohen procesverbalet nga ato vendvotime, të shihet se problemi nuk ka qenë te numri i votave, por i natyrës teknike.
“Prandaj dhe unë e kërkova. Hajde të lutem t’i publikojmë të gjitha procesverbalet. Nuk kemi çfarë të fshehim. Ato janë votat, nuk kemi ndërhyrë ne në votat e atyre. Jo jo, nuk ishte problemi i votave. Problemi ishte i natyrës teknike te pjesa e identifikimit”, pohoi tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.
Të kësaj natyre Shehu tha se kanë qenë madje 60% e procesverbaleve.
Anëtari tjetër i KSHZ-së i propozuar nga opozita shqiptare, Abdush Demiri, për TV21 tha që për disa prej ankesave kanë hapur kutitë e votimit, dhe në disa prej tyre kanë hasur në parregullsi. Prandaj dhe ka votuar që të pranohen ato ankesa.
“Për disa vendvotime u hapën kutitë dhe u shqyrtua materiali zgjedhor, nga kontrolli i materialit zgjedhor për disa vendvotime u evidentuan parregullsi dhe mospërputhje. KSHZ si institucion profesional dhe i paanshëm, është i detyruar të sjellë vendime në përputhje me Kodin Zgjedhor, dhe si rezultat i kësaj u pranuan disa ankesa nga disa parashtrues. Nga shqyrtimi i materialit zgjedhor në vv 2101, faktet dhe argumentet ishin aq të qarta sa që PËR votuan që të gjithë shtatë anëtarët e KSHZ-së, përfshirë dhe Ditmire Shehun. KSHZ punon në përputhje me Kodin Zgjedhor, rregulloret dhe udhëzuesit e miratuara“, pohoi Abdush Demiri – Anëtar i KSHZ-së.
Përndryshe ankesat për parregullsi erdhën nga koalicioni VLEN, nga VMRO-DPMNE, nga LSDM dhe nga Levica.