BallinaMaqedoni

A do ta përjashtojnë Grubin nga partia? Ja çka thonë nga BDI për portalin Lideri.mk!

Foto Arkiv

Portali Lideri.mk ka kërkuar qëndrim zyrtar nga Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me kërkesën e koalicionit VLEN që ta largojnë ish zv/kryeministrin Artan Grubi nga partia.

Zyrtarisht në BDI për momentin nuk duan të deklarohen ndaj kësaj kërkese të VLEN-it. Mirëpo dy zyrtarë të lartë të kësaj partie, duke folur në kushte anonimiteti për portalin Lideri.mk, kanë shprehur qëndrim gati identik lidhur me përjashtimin e mundshëm të Grubit nga partia.

“Artan Grubi është tërhequr vetë nga jeta politike dhe publike prandaj nuk e shohim të nevojshme që ta përjashtojmë nga partia. Ky është disponimi momental në parti, nëse ka ndonjë ndryshim, do ta njoftojmë opinionin me kohë”, kanë thënë zyrtarët e BDI-së.

Ata e përsërisin qëndrimin e kryetarit partiak Ali Ahmeti se Grubi gjendet në “trojet shqiptare” dhe se do të jetë i gatshëm të paraqitet para organeve të drejtësisë, “kur ato të jenë të pavarura dhe larg ndikimit politik”, duke aluduar se një gjë e tillë nuk mund të pritet në një të ardhme më të afërt.

Ndryshe, koalicioni VLEN në një kumtesë për media i bëri sot thirrje BDI-së që të marrë masa konkrete për të ruajtur partneritetin strategjik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të dëshmojë se shqiptarët nuk do të mbahen peng i krimit.

Në këtë drejtim VLEN kërkoi nga BDI që të marrë vendim formal për përjashtimin e Artan Grubit nga anëtarësia partiake.

“Deklaratat e deritanishme të Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani për parimin dhe transparencën kanë mbetur vetëm fjalë boshe. I bëjmë thirrje që të ndërmarrin hapa konkretë që do të dëshmojnë se premtimet dhe angazhimet e tyre janë reale dhe se nuk do të lejojnë asnjë dyshim për veprimtari kriminale apo të pandershme që të njollosë reputacionin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, kanë theksuar nga VLEN./Lideri