Temperaturat e larta do të vazhdojnë deri në fund të gushtit
Moti shumë i nxehtë dhe me temperaturë mbi 40 gradë do të na shoqëroj deri në fund të gushtit. Nga Enti Hidrometeorologjik thonë për portalin Lideri.mk se të premten dhe gjatë uikendit temperaturat pritet të ulen për disa gradë, por nga e hëna sërish do të kemi mot me diell dhe i nxehtë që pritet të vazhdojë gjatë gjithë muajit gusht, e ndoshta edhe në fillim të shtatorit.
“Deri të enjten vijon faza portokalli për shkak të rrezikut nga temperaturat e larta, sepse deri të enjtën temperaturat të kalojnë 40 gradë celsiuz. Kjo veçanërisht vlen për pjesën përgjatë Vardarit duke përfshirë edhe Luginën e Shkupit. Të premten presim që temperature maksimale të jetë prej 33 deri në 39 gradë ndërsa të dielën diku rreth 30 dhe 37 gradë celsiuz”, thanë nga Enti Hidrometeorologjik.
Kurse në dy ditët e fundit Inspektorati Shtetëror i Punës ka shqiptuar 16 ndalesa për punë, për shkak të mosrespektimit të rekomandimeve për mbrojtje nga vala e të nxehtit. Inspektorët kanë gjetur në terren punëtorë duke punuar në temperatura të larta edhe atë në periudhën nga ora 11 deri në orën 17.
Për shkak të fazës portokalli në të cilën ndodhet vendi, inspektorati shtetëror i Punës një ditë më parë ka kryer 139 kontrolle, ndërsa paraprakisht edhe 125 kontrolle të tjera.
Ndërkohë që nga fillimi i verës janë kryer mbi 1 mijë kontrolle, ndërsa janë shqiptuar 95 vendime me urdhrin për respektimin e rekomandimeve, si dhe 79 vendime për ndalesë të punës.
Që nga e hëna kur dhe vendi hyri në valën e të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë celsius shumë objekte ndërtimi nuk ndaluan aktivitetet ndërtimore në rreze dielli.