Rajon - Botë

Rusët po ikin në kolona nga forcat ukrainase që kanë hy në Rusi (Video)

Rusia vendosi një regjim gjithëpërfshirës sigurie në tre rajone kufitare të shtunën, ndërsa ka grumbulluar forca për t’iu kundërvënë sulmit më të madh ukrainas në territorin rus, që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022.

Forcat ukrainase shpërthyen kufirin rus herët të martën dhe u shtrinë në disa pjesë perëndimore të rajonit Kursk të Rusisë, një sulm i befasishëm që mund të synojë të krijojë përparësi në bisedimet e mundshme të armëpushimit, pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Vladimir Putin e cilësoi atë si një provokim të madh dhe megjithëse gjenerali më i lartë rus Valery Gerasimov, tha të mërkurën se sulmi i Ukrainës ishte ndalur, Rusia deri më tani ka dështuar të zmbrapsë forcat ukrainase përtej kufirit.

“Armiku është ndalur, por kjo nuk do të thotë se gjithçka është e qetë. Atje po zhvillohen luftime serioze”, tha Andrei Gurulyov, një gjeneral që shërbeu në forcat sovjetike dhe ruse dhe tani është ligjvënës i partisë në pushtet.

Blogerët ushtarakë rusë thanë se situata ishte stabilizuar pasi Rusia dërgoi me nxitim forcat për të ndalur përparimin e befasishëm të Ukrainës, megjithëse ata thanë se Ukraina po dërgonte me shpejtësi forcat dhe se po zhvillohen beteja intensive.

Sulmi ukrainas ndaj Rusisë ka nxitur disa në Moskë të pyesin përse Ukraina ishte në gjendje të depërtonte në rajonin e Kurskut kaq lehtë, pas më shumë se dy vjetësh të luftës tokësore më intensive në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Udhëheqësit ukrainas kanë heshtur për operacionin por, presidenti Volodymyr Zelensky tha më herët gjatë javës se Rusia duhet të “ndiejë” pasojat e agresionit në shkallë të plotë që ka zhvilluar kundër Ukrainës që nga shkurti i vitit 2022.

Alexander Bortnikov, drejtor i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), urdhëroi vendosjen e një regjimi anti-terrorist në rajonet Kursk, Bryansk dhe Belgorod, që kanë një sipërfaqe prej afro 92,000 km katrorë.

“Regjimi i Kievit ka bërë një përpjekje të pashembullt për të destabilizuar situatën në një numër rajonesh të vendit tonë”, tha Komiteti Kombëtar rus Kunder Terrorizmit, duke theksuar se ka viktima nga radhët e civilëve.

Masat ruse në thelb u japin shërbimeve të sigurisë kompetenca gjithëpërfshirëse për të bllokuar një zonë, duke përfshirë kontrollet mbi komunikimet dhe kufizimet në një mori lirish të zakonshme. Mijëra civilë janë evakuuar nga rajoni i Kurskut.

Disa raporte thanë se forcat ukrainase po përparonin drejt termocentralit bërthamor të Kurskut, i cili furnizon një pjesë të madhe të Rusisë jugore me energji elektrike. Ai ka gjithsej gjashtë reaktorë, dy të mbyllur, dy në riparim dhe dy të tjerë në funksion.

Shefi i Agjencisë së OKB-së për Energjinë Bërthamore, vuri në dukje “aktivitetin e rëndësishëm ushtarak” në zonë dhe bëri thirrje për përmbajtje.

Diplomatët rusë në Vjenë i thanë agjencisë se fragmente, mbase nga raketat e rrëzuara, ishin gjetur në afërsi, megjithëse nuk kishte prova për një sulm në termocentral.