Serbia ktheu kufomën e Faton Hajrizit në Kosovë, flet gruaja e tij: Nuk e di ç’i kanë bërë, trupi është i shkatërruar
“Nuk e di çfarë kanë bërë me trupin e tij, por është totalisht i shkatërruar. E pashë me qefinin e mbuluar”. Kështu është shprehur Liridona Shala, gruaja e Faton Hajrizit.
E pyetur për gjendjen në të cilën ajo dhe familja e saj gjendet me mbërritjen e trupit te Faton Hajrizit në Kosovë, ajo shtoi se “humbja e tij na ka bërë të humbim edhe shpresat për të jetuar”.
Trupi i pajetë i Hajrizit, i cili u vra në Lloznicë të Serbisë, iu kthye këtë të premte familjarëve të tij.
Ai ishte arratisur nga një burg në Kosovë më 6 korrik dhe u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi në korrik se Hajrizi u vra në vendin e quajtur Banja Kovilaça, pasi autoritetet serbe kishin qenë në kërkim të tij që nga vrasja e policit.
Sipas tij, ai ishte fshehur buzë lumit Drina, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.
Serbia ka kërkuar që Gjermania të ekstradojë vëllain e Fatonit, Artanin, pasi në vendin e ngjarjes, u gjetën dokumente në emër të tij.