Kosovë

Haradinaj: Kurti është i rekrutuar nga Serbia

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i rekrutuar nga Serbia, teksa e quan edhe përçarës të shqiptarëve në Luginë.

Kreu i AAK-së ka akuzuar Qeverinë edhe për mospërfshirje të veteranëve në Pagën Minimale.
Kritika ka edhe për përfshirje në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut dhe për kundërshtitë që sipas tij i ka shpërfaqur ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë.

Ai ka thënë se Kurti ka përkrahur një Qeveri që policia maqedonase patrullon me ata të Serbisë.
“Të gjitha këto janë agjendë e Kurtit, ai nuk punon për Kosovën për interesat e Kosovës, kam deklaruar se ai është i rekrutuar nga Serbia, ai e kamuflon me një lloj patriotizmi të fitoreve ditore, por ia hup Kosovës fitoret strategjike. Ju e shihi se nuk jemi afër NATO-s, kanë kaluar katër vite dhe nuk kemi asnjë njohje, se kemi forcuar statusin tonë ndërkombëtar, por jo vetëm kaq sot ne jemi të dënuar me sanksione nga BE-ja në vend që të ishte Serbia edhe pas sulmit në Banjskë. Serbia nuk është e dënuar vetëm për faktin e sjelljeve të Kurtit. Ai nuk i shërben shqiptarëve është i rekrutuar prej Serbisë. Po i jap disa shembuj i ka përçarë shqiptarët e Preshevës në mënyrën më të keqe, i ka bë pikë e pesë, është dalë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë të bartësve të saj, Ali Ahmeti. Ai as nuk e di se kënd e ka përkrah në Maqedoni por ka dalë publikisht kundër bartësve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Sot në Maqedoni qeveria e re ka marrëveshje për të patrulluar me policinë serbe. Pra Policia e Serbisë patrullon me Policinë e Maqedonisë, këtë qeveri e ka përkrah Kurti”, ka thënë Haradinaj për ekonomiaonline.
Haradinaj e ka cilësuar Qeverinë Kurti si “dëmin më të madh që iu është bërë Kosovës”, ndërsa thekson se partnerët ndërkombëtar e kanë humbur besimin ndaj tij.

“Qeveria e Kurtit është dëshmia se sa keq i ka ardh puna Kosovës, edhe në planin social ekonomik të brendshëm edhe në planet e sigurisë. E në planet e jashtme edhe më keq, e kemi humbur besimin e partnerëve tonë deri në ndëshkim. Nuk mendoj që Kurti e njeh misionin e dorëheqjes apo njerëzit rreth Kurtit, në shumicën e rasteve ata janë në duke e kapur shtetin, kapjen e misioneve të shumta në mënyrë që ata jo të qeverisin vendin, por të sundojnë. Është dashtë të jap dorëheqje shumë kohë më përpara, edhe sot nuk është vonë por këta nuk e njohin këtë mision”, ka thënë Haradinaj.
Ish-kryeministri i Kosovës ka pasur kritika edhe për mospërfshirjen e veteranëve të luftës në pagën minimale.

Ai ka thënë se për herë të parë një parti shqiptare bëhet bashkë me Listën serbe për t’i lënë jashtë pagës minimale ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Kurti është në faj ndaj Kosovës, e diskutojmë kategorinë e lirisë, në historinë e parlamentarizmit, unë jam zgjedh në të gjitha regjistraturat por në të gjitha ka mundur që të ushtrohet mandati derisa unë kam qenë në Hagë, por kurrë nuk ka ndodh. Ka qenë një ndarje pas luftës LDK dhe krahu i luftës por sa herë që ka pasur votime, LDK ka qenë shumë e respektueshme në këto çështje, e vetmja herë në histori që një parti që ka shumicën Vetëvendosje e ka marrë ndihmën e listës serbe, vetëm këtë herë ka votuar lista serbë në këtë legjislaturë, dhe mos me përfshi veteranët në pagën minimale. Kemi të bëjmë me një qeverisje që është në faj ndaj Kosovës, duke qenë në faj mundohet të mbulojë fajin e vet dhe të këqijat që i ka bërë Kosovës, me një arrogancë me një qasje armiqësore ndaj të gjithëve, kjo i ka shkaktuar shumë dëm vendit”, ka thënë tutje ai.