BDI: Presidenca e Kosovës zbuloi të gjitha gënjeshtrat e vazalëve nga Vlen
Bashkimi Demokratik për integrim përshëndet transparencën e Presidencës së Republikës së Kosovës në lidhje me incidentin skandaloz diplomatik ndaj Presidentës, zonjës Vjosa Osmani.
“Komunikata e djeshme e presidencës kosovare i zbuloi të gjitha gënjeshtrat infantile të vazalëve puthadorë dhe shërbëtorë nga Vlen për ta heshtur dhe minimizuar skandalin më të madh diplomatik në historinë e vendit.
Të gjithë eksponentët e Vlen kishin nga një skenar arsyetues, ndryshe nga njëri tjetri, dhe që të gjithë u demantuan nga Presidenca e Kosovës, nga MPB dhe nga koncesioneri TAV.
Ky skandal, medoemos duhet zbardhur gjer në fund dhe përgjegjësi politike duhet të bartin menjëherë uzurpatorët jolegjitim të institucioneve Astrit Iseni nga MPB dhe Afrim Gashi nga Kuvendi.
Sjellja e egër dhe e palejueshme e shefit të sigurimit të kryetarit jolegjitim të Kuvendit me urdhër të Afrim Gashit, si dhe injoranca institucionale e Astrit Isenit i cili as që e dinte për skandalin, janë të papranueshme.
Shqiptarët nuk janë të mbrojtur e as të përfaqësuar në qeverinë monoetnike”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
BDI shtojnë se humbësit e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare janë tërësisht të nënshtruar dhe servil. Poshtërsimi dhe turpërimi i shqiptarëve nga ca vazalë dhe të preferuar të VMROsë, e jo të popullit, nuk do të lejohet.