Po digjet Maqedonia lindore – Një person humbi jetën, u dogjën 40 shtëpi
E gjithë Maqedonia lindore është përfshirë nga zjarret dhe rreth 14 janë ende aktive, disa janë vënë nën kontroll dhe 27 janë shuar. Më kritike është ende në rrethinë e Sveti Nikollës, ku shuhet me air-traktorë dhe një helikopter të ushtrisë. Pasditen e djeshme zjarri ka arritur në fshatin Nemanjicë, ku banorët janë evakuuar. Siç transmeton portali Lideri.mk, nga zjarri janë djegur 40 shtëpi.
Era që fryn e vështirëson edhe më shumë situatën pasi jo vetëm që e intensifikon zjarrin por edhe e përhap shumë shpejt. Angellov u bëri thirrje banorëve të fshatrave që të vendosin rripa të sigurisë.
“U bëj thirrje të gjithë pronarëve të shtëpive dhe shtëpizave në fshatrat malore apo në fshatrat e braktisura të bëjnë një rrip të butë kundërzjarri rreth shtëpizave të tyre dhe rreth shtëpive të tyre. Në të njëjtën kohë u bëj thirrje të gjithë banorëve të fshatrave që mund të përfshihen nga zjarret që të bëjnë rripe kundërzjarri nëpër fshatra, rripe të gjerë nga dhjetë apo njëzet metra, të bëjnë brazda me traktorë të mëdhenj, diku të pastrohet me buldozer. Në këtë mënyrë do të mbrohen në mënyrë parandaluese të gjitha fshatrat”, tha Sojançe Angellov.
Dje e kishim viktimën e parë pasi një banor i fshatit Kokoshinje të Kumanovës është mbytur nga tymi në zjarrin që ka përfshirë fshatin, ndërsa në fshatin e Shën Nikollës, Malino tashmë janë djegur njëzet shtëpi. Angellov gjithashtu bëri apel që të ndalet me djegien e kashtës.
“U bëj thirrje të gjithë bujqve që të mos djegin kashtë. Djegia e kashtës duhet ta shohin si tentativë për vrasje, sepse zjarri nga ajo kashtë mund të depërtojë në barin e afërt, prej andej në pyllin e afërt, në fshatin e afërt dhe të vrasë një person. Por ditën e djeshme kemi konstatuar edhe shpërthimin e zjarreve të shkaktuara nga shkëndija në telat elektrikë. Përsëri do të paraqesim kërkesë në EVN për të kontrolluar tensionin e telave, edhe pse një kërkesë të tillë e kemi paraqitur para më shumë se një muaj e gjysmë”, tha Angellov.
Qytetarët, nëse vërejnë sjellje të dyshimta të një personi në të hapur apo në pyll, duhet të lajmërohen menjëherë në numrin e telefonit të QKM-së, 112, pasi siç thotë ai, disa zjarre janë shkaktuar qëllimisht. Ministria e Brendshme do të hetojë se si kanë ndodhur disa zjarre dje që kanë shpërthyer nga ora 11 e mëngjesit deri në orën 14:00.