Policia izraelite ndërhyn ndaj palestinezëve në Xhaminë Aksa, 9 të plagosur
Policia izraelite ndërhyri ndaj palestinezëve që protestuan në Xhaminë Al-Aksa kundër ofendimeve të hebrenjve fanatikë ndaj profetit Muhamed, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Xhaminë Al-Aksa që ndodhet në zonën e qytetit të vjetër të Kudsit Lindor nën pushtim u protestua kundër ofendimeve në “marshimin provokativ të flamurit” nga hebrenjtë e ekstremit të djathtë.
Qindra palestinezë pas namazit të xhumasë në Al-Aksa u mblodhën në portikët mes Kubbetu-sahra (Kupola e Shkëmbit) dhe Mexhidit të Kibles.
Nën shoqërimin e sloganeve pro profetit Muhamed, palestinezët pas një kohe marshuan drejt mureve të Xhamisë Al-Aksa.
Policia izraelite hapi zjarr me plumba plastikë në zonën e portës Al-Silsila të Xhamisë Al-Aksa ndërsa palestinezët hodhën gurë mbi policinë izraelite.
Në një deklaratë nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thuhet se 9 palestinezë u plagosën nga ndërhyrja me “plumba plastikë dhe bomba zhurmuese” të policisë izraelite në Xhaminë Al-Aksa.
Po ashtu në deklaratë informohet se disa nga të plagosurit janë goditur dhe se 3 palestinezë janë dërguar në spital.
Hebrenjtë e ekstremit të djathtë, më 15 qershor nën mbrojtjen e policisë izraelite zhvilluan “marshimin e flamurit” në Portën e Damaskut dhe gjatë marshimit kryen ofendime ndaj profetit Muhamed.