Maqedoni

VLEN: Ulja e përqindjes së shqiptarëve te Balanseri nuk është në pajtim me ligjin

VLEN do t’i përgjigjet vendimit të ministrit për Administratë, Minçev i cili ndërroi pëllogaritjen e balancuesit gjatë punësimeve në administratë, shkruan Alsat

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti nuk zbardhi se çfarë do të ndërmarrin konkretisht, por tha se ligji është i saktë dhe se përqidja duhet të bazohet në numrin e popullsisë së përgjithshme dhe jo vetëm rezidente.

“ Lidhur me balancerin apo atë që e tha ministri Minçev, mendoj se nuk është në përputhje me ligjin. Në ligj sakt thuhet se përfaqësimi i drejtë, duhet të jetë sipas përfaqësimit në përqindje të popullatës, nuk thuhet aty të rezidentëve apo jorezidentëve dhe mendoj se kjo qeveri është e përkushtuar në zhvillim ekonomik, standardin e jetesës së qytetarëve, të zgjidhjes se çështjeve konkrete, nuk janë prioritet çështjet e tilla. Janë të panevojshme dhe kuptohet iniciativat e tilla do të shkaktojnë përgjigje nga ana jonë, por nuk jemi ne ata që inicojmë gjë të tillë. Mendoj se edhe kolegët tanë do ta kuptojnë se duhet të jenë në funksion të kësaj platforme dhe jo të politikës ditore” , tha Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.

Ditë më parë, ministri për Administratë nga radhët e partisë ZNAM, Goran Minçev ndryshoi llogaritjet për balancuesin të bëra nga ish ministri Admirim Aliti. Në bazë të ndryshimeve, rritet numri i maqedonasve që do të punësohen në administratë ndërsa ulet numri i shqiptarëve.

Respektivisht, në planet vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik, përqindja e maqedonasve rritet nga 54,21% në 58,44%, ndërsa e shqiptarëve ulet nga 29,52% në 24,30%.

Minçev nënvizoi se ndryshimet në përqindjet e mjetit balancues janë bërë ekskluzivisht në përputhje me ligjin për të punësuarit në sektorin publik, i cili sipas tij, parasheh që në përllogaritjen e balancuesit të përfshihet vetëm numri i popullsisë rezidente dhe përjashtohet popullsia jorezidente nga përllogaritja e balancuesit. / Alsat.mk