Maqedoni

LSDM akuzon ministren e Energjetikës se ndaj MEPSO-së ka borxh në vlerë prej rreth 1 milion euro

LSDM akuzon Ministren e Energjetikës Sanja Bozhinovska, se ndaj kompanisë shtetërore MEPSO ka borxh në vlerë prej rreth 1 milion euro, shkruan Alsat.

Sipas Metodija Ilievskit nga LSDM kompania që lidhet me ministren Bozhinovska në vitin 2016 dhe 2017 këtë borxh e ka bërë pasi nuk e ka paguar rrymën.

Ilievski tha se kompania, ku pronar dhe bashkëdrejtues ka qenë Bozhinovska, me borxh të akumuluar ndaj shtetit, më pas e ka ndërruar emrin dhe është shndërruar në një tjetër subjekt.

“Imagjinoni, mbi 70 përqind të borxhit të përgjithshëm ndaj MEPSOS në atë kohë e ka bërë vetëm një kompani, ajo e Bozhinovskës….Pas një kohe të caktuar, MEPSO ngrit procedurë për pagesën e borxhit dhe inicion padi ndaj kompanisë së Bozhinovskës. Në vitin 2019 është zbatuar ekspertizë nga eksperti gjyqësor, ku është përcaktuar lartësia e kamatës për kompaninë e Bozhinovskës që I ka borxh MEPSOS. Domethënë 2 vjet e gjysmë Bozhinovska nuk ka haber për pagesë të borxhit ndaj shtetit. Me borxh të akumuluar ndaj shtetit, Bozhinovska e ndërron emrin e kompanisë dhe shndërrohet në një subjekt tjetër, në vend të ENG Servis Trejd, tani quhet Karsz trejd doel Shkup…” , tha Metodija Ilievski, LSDM.

Nga VMRO-DPMNE theksojnë se ky reagim I LSD-së është si pasojë e shqetësimit kaotik për shkak të paralajmërimeve për ndryshime në udhëheqësinë e MEPSOS dhe ESM-së si dhe revizionin e punës së tyre.

“Nuk është problem Sanja Bozhinovska por fakti se LSD dhe BDI, 7 vite kanë mbushur xhepat nga krimi në MEPSO dhe ESM. Konferencat e sotme janë hipokrite, së paku për dy arsye. E para, që kur borxhi I një kompanie është vepër penale? E dyta LSD kishte 7 vite pushtet absolut me BDI-në. Nëse ka pasur krim, atëherë çfarë ka bërë LSD? Është e qartë se LSD-ja është e prekur drejtpërdrejt nga ndryshimet në MEPSO dhe EMV, prandaj janë përfshirë në fushata të rreme dhe të ndyra për të njollosur njerëzit që punojnë me ndershmëri”, thonë nga VMRO.

Mes partive në pushtet dhe opozitë kohëve të fundit kishte përplasje edhe lidhur me kuadro të tjerë që janë vendosur në krye të institucioneve. / Alsat.mk