Të punësuarit në Ministrinë që udhëhiqej nga Grubi, Kasami: S’lejojmë që dikush të marrë rrogë dhe të mos shkojë në punë
I pyetur për sistematizimin e të punësuarve në ish Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive, që udhëhiqej nga Artan Grubi, Bilall Kasami nga VLEN tha se në atë ministri ka pasur punësime fiktive, përcjell TV21. Kasami tha se në ministrinë e re, respektivisht në Ministrinë për Marrëdhënie midis Bashkësive, që tash udhëhiqet nga Ivan Stoillkoviç, nuk do të lejojnë që dikush të marrë rrogë dhe mos të shkojë në punë.
“Ne e dimë që aty ka pasur manipulime. Ne e dimë që aty ka pasur punësime fiktive të cilët kanë marrë rroga dhe nuk kanë shkuar në punë. E dimë gjithashtu që qeveria e mori një vendim që gjithë këta të punësuar nga Ministria, më herët Sekretariati, të transferohen nëpër institucione. Një pjesë e tyre janë transferuar, një pjesë ende nuk janë transferuar, atë që e kemi pasur si qasje në Komunën e Tetovës, atë do ta kemi edhe në pushtetin qendror. Nuk lejojmë dhe nuk tolerojmë që dikush të marrë rroga dhe të mos shkojë në punë. Çdokush që do të jetë i sistemuar në një institucion, do të transferohet në atë institucion, do t’i krijohen kushte që të shkojë në punë, ata që nuk do të shkojnë në punë, sigurisht në bazë të ligjit, nëse nuk paraqiten në vendin e punës, do të duhet të shkojnë në shtëpi”, deklaroi mes tjerash Kasami.