VLEN kërkojnë nga BDI-ja që të bëjë opozitën por edhe të respektojë rregullat e demokracisë
Liderët e koalicionit VLEN kërkojnë nga BDI-ja që të bëjë opozitën por edhe të respektojë rregullat e demokracisë, shkruan Alsat.
Arben Taravari tha se kreut të BDI-së, Ali Ahmeti i shkon opozita dhe duhet të durojë 100 ditët e para të Qeverisë.
Sipas tij legjitimiteti i shqiptarëve është tek ata të cilët sollën ndryshimin.
“Ndodhi ndryshimi historik te shqiptarët. Është një gjeneratë e re politike. Jemi duke dhënë maksimumin tonë nëpër institucioneve dhe jemi përfaqësues absolut të shqiptarëve. U uroj qetësi dhe shëndet. Besoj se mbas 100 ditëve flasim për sukseset ose nëse kemi dështime këtu jemi për të na kritikuar . kështu vepron opozita e vërtet. Unë e konsideroj zoti Ahetmin si një njeriu i urtë dhe i mençur i cili do të vepron si një opozitar i vërtet dhe i ngjan opozita realisht”, tha Arben Taravari, Koalicioni VLEN.
Izet Mexhiti vlerëson se BDI ka një brengë dhe ajo është mbyllja e kazinove. Sipas tij, interpretimi autentik që ka nisur në Kuvend mbi Ligjin për lojërat e fatit, do të mbyll pjesën më të madhe të shoqërive aksione dhe me këtë edhe largimin e kazinove nga shtëpia dhe celulari i çdo qytetari.
“Me siguri kanë menduar të bëjnë një tubim masovik por dështuan. E panë që nuk e kanë mbështetjen e popullit. Mendoj se fakti që nuk rrinë të qetë 100 ditë që është rregull e demokracisë, tregon se e kanë një brengë tjetër. Ne para 2-3 ditë e hapëm në Kuvend temën të cilën e kemi folur fuqishëm në fushatë, pra punën e kazinove dhe u pa që neve nuk e kemi folur vetëm vota. Ne nuk caktuam as drejtor dhe as zëvendësdrejtor në Lotari për të treguar se nuk marrim pjesë në lojërat e fatit, në mënyrë demonstrative për të treguar se përkushtimi jonë nuk janë lojërat e fatit, por problemet e qytetarëve, zgjidhja e tyre dhe avancimi i çështjet shqiptare”, u shpreh Izet Mexhiti, Koalicioni VLEN.
Derisa VLEN nisi procedurën për interpretimin autentik të neneve ligjore që i referohen lojërave të fatit online, Fronti Evropian propozoi ligj me të cilin parashikohet mbyllja e menjëhershme e të gjitha kazinove dhe lojërave të fatit online. / Alsat.mk