Alush Hamidi, veprimtari që frymëzoi rininë
Alush Hamidi në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe më gjerë të trojet shqiptare, shquhet si veprimtar i jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit në vend, e në veçanti të veprimtarive të ndryshme kulturore dhe jo vetëm. Si i tillë, ai kontribuoi në ruajtjen dhe kultivimin e traditave dhe trashëgimisë. Familjarët e kujtojnë si person që sillte harmoni, ndërkaq miqtë që punuan me atë e vlerësojnë si mik të idealeve të larta dhe iniciues i dhjetëra festivaleve e klubeve sportive, shkruan Portalb.mk.
Alush Hamidi lindi më 1 mars të vitit 1948 në fshatin Çajlanë të Shkupit. Arsimin fillor e kreu në shkollën e fshatit, ndërkaq mësimet e shkollës së mesme dëshironte t’i vijojë në gjimnaz e më vonë të jetë mësimdhënës, por me shndërrimin e Shkupit në qendër industriale në atë kohë, prindërit i rekomanduan që ai të ndjekë një drejtim profesional. Nisur nga kjo dëshirë ai u regjistrua në shkollën e elektroteknikës, e më pas filloi me punë në Hekuranën e Shkupit.
Duke qenë se dëshira e tij për arsim të mëtejshëm nuk pushoi, në mungesë të kuadrit mësimdhënës, ai u emërua po ashtu mësimdhënës në shkollën fillore “Liria”. Në hapësirat e kësaj shkolle filloi edhe aktiviteti i tij idealist, pasioni i tij për fotografinë rezultoi me krijimin e “Klubit të Fotoamatorëve”, gjë që ishte pikënisje e një rrugëtimi të gjatë.
Iniciativat gurra të aktivitetit rinor
Kontaktet e tija të para me kulturën dhe artin, ishin nëpërmjet një radioje që ndodhej në shtëpinë e tij. Aty shpesh dëgjonte zërin e këngëtarëve të shquar të asaj kohe, si: Qamili i Vogël, Fatime Sokoli, Fitnete Rexha, Dervish Shaqa, Ismet Peja, Nexhmije Pagarusha etj. Tekstet që këndonin këto doajen të muzikës, i shkruante, ndërsa së bashku me të motrën, dhe herë has here gostitën mysafirët në odë me vargjet e tyre.
Me rënien e sistemit komunist, dhe dëshira për inkuadrimin e procesit të demokratizimit, në nëntor të vitit 1991 në Dibër u mbajt një takim ku morën pjesë përfaqësues të Shoqërive Kulturore Artistike, ku u ngrit iniciativa për krijimin e një asociacioni të shoqërive shqiptare, dhe pranverën e vitit 1992 mori jetë Lidhja e Shoqërive Kulturore Artistike Shqiptare në Maqedoni (ShKAShM).
Kjo Lidhje i dha jetë dhjetëra organizimeve kulturore si: Festivali i Folklorit të Përpunuar dhe të Stiliziuar “Këngë Jeho” – Strugë në vitin 1992; Festivali i Folklorit Burimor “Sharri Këndon” – Tetovë; Festivali i Këngës Qytetare “Tingujt e Penestias” – Dibër në vitin 1997; “Oda dibrane” – Peshkopi në vitin 1994. Alush Hamidi është edhe themelues i Shoqërisë Kulturore Artistike “Ibe Palikuqi” – Shkup.
Ai inicioi edhe themelimin e klubeve sportive, si: Klubi i Mundjes “Liria” klub nga i cili edhe doli kampioni olimpik botëror në kuadër të ish Republikës Socialiste Federative e Jugosllavisë, Shaban Tërstena në vitin 1984; Klubi i Boksit “Liria”; Klubi i Hendbollit “Liria”; Klubi i shahistëve “Liria”; Klubi i Fotoamatorëve “Liria”; Klubi i Basketbollit “Slloga”; Lidhja Sportive “Liria”.
Alush Hamidi në kujtesën e familjarëve dhe miqve
Lulzim Hamidi, djali i tij, e kujton të atin si harmonia e familjes. Qëndrimi i babait reflektonte si shëmbëlltyrë për ta. Brenda familjes Hamidi sipas të birit, ekzistonte një demokraci e denjë, me përfshirjen e të gjithëve në çështjet familjare.
“Prezenca e tij brenda familjes ishte burim i disponimit, buzëqeshjes dhe harmonisë familjare, sjellja e tij, mënyra e të folurit, të veshurit dhe të qëndruarit ishin shembull dhe shëmbëlltyrë për edukimin tonë si fëmijë. Në parim, mbante qëndrimin e tij të pathyer, por gjithmonë i drejtë dhe i paanshëm. Bisedat i zhvillonte shtruar duke na përfshirë edhe neve. Kjo ishte një nga metodat e tij se si duhet të kemi qasje të sinqertë ndaj një problemi, të jemi objektiv dhe racional në mënyrën e zgjidhjes së çështjeve”, kujton çastet me familje djali Lulzimi.
Më tej ai shton se për shkak angazhimeve nëpër iniciativat ku ishte i përfshirë, e lenin Alush Hamidin deri në orët e vona, ndërkaq vizioni i tij mbarë kombëtarë dhe shtrirja e arsimit e institucioneve kulturore ngelën ëndërr e pa realizuar.
“Arsyeja që përfaqësonte dhe drejtonte shumë subjekte e detyronte që deri në orët e vonshme të natës të ishte jashtë familjes. Nuk arrit të realizoj funksionimin e denjë të trekëndëshit Shkup-Tiranë-Prishtinë, dy shkollat e mesme në Saraj dhe Ansamblin shqiptarë që e inicoi dhe u miratua nga ministri atëhershëm, Eshtref Aliu në vitin 1996”, tha Lulzim Hamidi.
Daim Hiseni, si sekretar i tij personal ishte i angazhuar në arkivin e Bashkësisë Lokale “Liria” dhe subjekteve që ishin krijuar në këtë njësi. Si i tillë, ai mban mend Alush Hamidin si veprimtar që ka investuar për rininë shqiptare, ndaj sugjeron që në teritorin e Komunës së Sarajit të themelohet një Shtëpi Kulture që do të bart emrin e tij.
“Isha sekretar personal i Alush Hamidit, puna ime qe të mbaj evidencën e arkivës dhe financave, të subjekteve të themeluara nga Bashkësia Lokale “Liria”. Në rradhë të parë ai kërkonte që njeriu i cili dëshiron të merret me aktivitete publike, duhet të jetë i urtë, i matur dhe i disiplinuar. Do të ishte së paku satisfakcion moral, nëse në shenjë mirënjohje dhe falënderimi, duke kujtuar bagazhin dhe investimet e bëra të z. Alush Hamidi për avancimin dhe afirmimin e trevës së Dervenit, që në Komunën e Sarajit, nga Këshilli Komunal të ngritët iniciativa për themelimin e një Pallati të kulturës i cili do të mbante me krenari emrin e profesorit tonë të dashur Alush Hamidi”, tha Hiseni.
Ermir Dizdari, mjeshtër i madh nga Shqipëria kujton Alush Hamidin si përfaqësues të kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai thekson se bashkë me të dhe Lidhjen e Shoqatave Kulturore Artistike të Shqiptarëve në Maqedoni, arritën ti japin jetë dhjetëra festivaleve mbarë kombëtare.
“Alush Hamidin e kam njohur kur isha drejtor i Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore. Në vitin 1992 organizova takimin me grupet dhe ansamblet popullore mbarë shqiptare, me këtë rast njoftova Alushin si përfaqësues i kulturës shqiptare në Maqedoni. Një vit më vonë, nën patronatin e nën Lidhjen e Shoqatave Kulturore Artistike të Shqiptarëve në Maqedoni, Alush Hamidi solli 100 artistë nga trevat shqiptare në Maqedoni, kjo qe prelud e asaj që do pasonte. Bashkë me të dhe shumë dashuronjës të artit, iniciuam e organizuam dhjetëra festivale, edhe atë “Presheva ’95”, Festivalin Folklorik Kombëtar në Berat shtator 1995, Festivalin e Këngës Qytetare në Elbasan, mars 1996, “Këngë Jeho” në Strugë apo “Sharri Këndon” në Tetovë, Takimi Mbarëkombëtar i SHKA-ve, Sarandë tetor 1996 etj”, tha Dizdari.
Duke përshkruar personalitetin e tij, Dizdari tha se Alush Hamidi kishte një botë të pasur shpirtërore dhe qe intelektual i kompletuar. Më tej Dizdari shton se Hamidi do të ngel për të mik i idealeve të narta për trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve.
“Ishte njeri me botë të pasur shpirtërore, natyrë dashamirësie ndërkaq në komunikim me drejtuesit përgjegjësit e artistët qe intelektual i kompletuar, gjithmonë rrezatonte mirësi e frymëzim. Vitet kalojnë dhe njerëzit harrohen, por Alushi për mua do të ngel mik i idealeve të narta, për trashëgiminë shpirtërore të popullit tonë”, shtoi Dizdari.
Besnik Emini për Portalb.mk tha se, në kohën kur bota u përfshi nga pandemia Covid-19, përkundër sfidave që ishin, nuk hezitoi bashkë me Lulzimin dhe Ardian Limanin, të mbledhin materiale, prej të cilave doli në pah monografia e vetme për Alush Hamidin. Pas botimit ai bën të ditur se janë siguruar edhe materiale tjera rreth jetës së tij, të cilat shpreson se do publikohen në forma të ndryshme, ndërkaq monografia e tij është në të gjitha bibliotekat publike.
“Për përpilimin e monografisë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Alush Hamidit janë përdorur materiale të ndryshme. Pjesa kryesore e këtyre materialeve janë ruajtur nga familja e Alush Hamidit. Edhe pse ishte viti i pandemisë, duke iu falënderuar ndihmës dhe bashkëpunimit me Lulzim Hamidin dhe Ardian Limanin arritëm që të marrim disa intervista nga persona të ndryshëm që kanë punuar dhe vepruar bashkë me Alush Hamidin. Ne e kemi përmbledhur pjesën më të madhe të materialeve në këtë libër, edhe pse e dinim që ka edhe materiale të tjera që u shfaqën edhe më vonë, por nuk deshëm ta lëmë të pa përfunduar këtë libër në kohë të pacaktuar. Libri gjendet në Bibliotekën Nacionale në Shkup dhe nëpër bibliotekat tjera publike nëpër qytete”, tha autori i monografisë, Besnik Emini.
Shkodran Tolaj, drejtor i Ansamblit Shtetëror të këngëve dhe Valleve Shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për Portalb.mk deklaroi se Alush Hamidi dhe idealistët tjerë punuan dhe ruajtën me përkushtim trashëgiminë kulturore.
“Alush Hamidi dhe veprimtarët idealistë si ai që punuan me aq përkushtim për ruajtjen dhe ngritjen e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në RMV, krijimin e një Ansambli Shqiptar çfarë e kemi sot, e kanë pasur mision dhe ëndërr! Nisur nga kjo, kam ndjerë për borxh e obligim që të kujtoj dhe të nderoj me medaljen e ansamblit Alush Hamidin. Do të doja që çdo festival i inicuar nga ai, apo të tjera që kanë kriza financiare për realizim, të institucionalizohen në kuadër të Ansamblit apo Ministrisë së Kulturës. Alush Hamidi, Trio Zajazi, Lorenc Antoni, Musa Piperku, Stafajt e shumë e shumë të tjerë mbeten busull për çdo artist dhe udhëheqës institucioni”, tha Shkodran Tolaj.
Jeton Pustina, bashkëthemelues i “Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut” dhe “Ansamblit Muzikor” ku sot është dhe drejtor i këtij institucioni, për Portalb.mk tha se rinisë i mungon iniciativa dhe guximi.
“Për fat të keq te gjeneratat e reja nuk ka iniciativa të tilla por mbi të gjitha u mungon guximi. Kemi shumë të rinj të talentuar dhe me potencial të jashtëzakonshëm të cilët ose nuk duan ta prishin ” rahatllëkun” ose janë të frikësuar nga politika dhe rinë të heshtur. Duhet ta dinë se i ndjeri Alush Hamiti ka vepruar në kohëra shumë më të vështira, me një aparat shtetëror kundër dhe përsëri ka lënë vepra dhe kujtime të jashtëzakonshme tek njerëzit e kulturës por edhe të arsimit dhe sportit. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të ndjerin Alush Hamitin që sot na mungon shumë, për një njeri i cili duhet të jetë udhërrëfyes për gjeneratat e reja të cilët duhet të informohen edhe më shumë për veprimtarinë dhe kontributin e tij”, tha JetonPustina.
Nderime për Hamidin
Këshilli i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup vendosi që ta nderojë me Mirënjohje për veprimtari jetësore Alush Hamidin, me motivacionin “Veprimtar i kulturës shqiptare në Maqedoni”.
Në tetor të vitit 2019 u vu gurrë themeli i sallës sportive të Shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” në Shkup, ndërkaq Komuna e Çairit vendosi ti jap emrin e “Alush Hamidit”. Në këtë shkollë ishin vendosur disa paralele të Shkollës Fillore “Liria”, njashtu aty zhvilloheshin edhe ushtrimet e valltarëve të Shoqërisë Kulturore Artistike “Ibe Palikuqi”.
Asociacioni i Ansambleve dhe Shoqatave folklorike shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut për herë të parë realizoi Festivalin Ndërkombëtarë Folklorik “Alush Hamidi” i cili vazhdon të realizohet tradicionalisht.