Lajmet e rejaMaqedoni

Kumanova, qyteti ku shumë turistë kalojnë, por pak ndalojnë

Kumanovë, 24 qershor– Kumanova si komunë më e madhe në Maqedoninë e Veriut, njihet si qendër e dikurshme industriale me mjaft peshë, por që gjatë periudhës së tranzicionit u shndërrua në një qytet të “gërmadhave industriale”, me shumë fabrika të dështuara dhe kapacitete prodhuese të lëna pas dore. Veç kësaj, Kumanova njihet edhe si qytet dhe rrethinë me kapacitete të shquara turistike, bashkë me dy komunat që dikur ishin pjesë e saj-komuna e Likovës dhe e Nagoriçit të Vjetër.

E derisa fabrikat dhe kapacitetet e dikurshme prodhuese kanë filluar të vendosen në funksion – falë investimeve të huaja hapen edhe kapacitete të reja, zhvillimi i kapaciteteve turistike ka ende hapësirë për të.

Jo që në Kumanovë, Likovë e Nagoriç nuk është avancuar turizmi, por potenciali që posedojnë mundëson edhe më tepër. Kumanova shtrihet në anën e majtë të Korridorit 10 nëse udhëtojmë nga veriu në jug, njërit ndër korridoret e më të frekuentuara në Ballkan. Kjo pjesë e Korridorit 10 frekuentohet me dekada nga mërgimtarët nga Turqia që jetojnë në vendet perëndimore, gjatë udhëtimit të tyre për në qytetet turke dhe rikthimit për në Perëndim. Edhe më shumë, gjatë muajve të verës, frekuentohet nga turistët që prej Evropës Perëndimore dhe Qendrore udhëtojnë drejt plazheve të Greqisë. Për fat të keq, shumë pak prej tyre ndalojnë në qytetin tonë dhe komunat përreth për ndonjë pushim gjysëm ditor ose njëditor edhe pse mund të jetë ndryshe.
Për momentin pika të vetme ku ndalojnë ata janë pikat e karburanteve.

“Dihet se vitet e fundit këta turistë nuk preferojnë thejshtë vetëm të shkojnë në plazh dhe të kthehen në vendet e tyre, por poashtu preferojnë të bëjnë pushime të kombinuara, duke qëndruar një ose dy ditë destinacione intetresate turistike që i kanë afër rrugës që i çon në destinacionin kryesor të pushimeve. Këtu është shansi i Kumanovës dhe rrethinës të afirmohet si destinacion turistik, duke krijuar fillimisht kushte që një pjesë e këtyre turistëve të shumtë që udhëtojnë afër nesh të ndalen këtu dhe të kalojnë një ose dy ditë tek ne, e në të ardhmen pse jo edhe më gjatë”, thotë për portalin Lideri.mk punëtori i njohur turisktik nga Kumanova, Berat Rexhepi, pronar i agjencisë turistike “Flori Turs”.

Bashkëbiseduesit tanë theksojnë atë që dihet botërist, se turistët në ditët e sotme kanë shije të ndryshme. Dikujt i pëlqen plazhi, dikujt mali, dikujt liqenet, lumenjtë, por për dikë atraksion turistik mund të jenë edhe repartet e rrënuara të fabrikave “Iskra”, “Kiro Fetak”, apo “Monopolit” në Kumanovë, sepse përveç si kapacitete të dështuara, ato janë edhe dëshmi për një kohë të kaluar.

“Duhet të krijojmë më shumë pika ku udhëtarët dhe turistët që kalojnë këndej të ndalen për pushim. Sa më shumë ndalen për të pushuar, aq më të mëdha janë gjasat të interesohen për qytetin tonë dhe me këtë ta regjistrojnë në ‘navigacion’ si pikë të ardhshme për ta vizituar. Ky është mendimi im, ndoshta e kam gabim, por mendoj se kështu zhvilohet sot turimi në vende që nuk kanë plazhe ose qendra dimërore”, thotë Rexhepi.

Profesori kumanovar, Avni Nuhiu, si aktivist i shoqërisë civile dhe kryetar i Klubit të Bjeshkatarëve në Kumanovë, thotë se komuna e Kumanovës dhe komunat përreth kanë bë mjaft në promovimin dhe afirmimin e pikave kryesore turistike të këtij rajoni. Por ai shton se duhet bë edhe më tepër për promovimin e disa kapaciteteve tjera që nuk kanë qenë mjaft atraktive në të kaluarën, por vitet e fundit janë bë një lloj mode në turizëm, e këtu edhe ai përmend turizmin malor dhe fshatin.

Pasi jemi zonë në trekëndësh kufitar: Maqedoni e Veriut, Kosovë dhe Serbi, ku edhe Bullgaria si anëtare e BE-së nuk është larg, rëndësi të madhe duhet t’i kushtohet edhe projekteve ndërkufitare që financojnë turizmin e ashtuquajtur ekologjik, që nuk dëmton mjedisin. Potenciali është mjaft i madh, bukuritë natyrore poashtu. Nevojitet që të vendosen sa më shumë tabela që njoftojnë turistët për këto bukuri natyrore. Kjo është vetëm një mënyrë, sepse në këto kohë modern promovimi kryesor bëhet përmes internetit dhe rrjeteve soiale. Patjetër duhet t’i shrfrytëzojmë këto mundësi”, thotë Nuhiu për Lideri.mk.
Në këtë temë kemi biseduar edhe me këshilltarin komunal, Fitor Jakupi, i cili thotë se është angazhuar edhe në të kaluarën dhe do të angazhohet edhe në të ardhmen që turizmi të ketë vend më të merituar në këtë pjesë të vendit.

“Ne jemi angazhuar dhe do të angazhohemi për zhvillim të qytetit tonë në çdo lëmi. Kumanova nuk shquhet për turizëm të zhvilluar, por pajtohem se mundësitë janë të mëdha. Prandaj në të ardhmen do të angazhohemi që të shkëmbejmë përvoja me komunat dhe qytetet tjera në rajon që janë të njohura si pika turistike në vendin tonë por edhe në rajon, që të shkëmbejmë përvojat dhe të mësojmë prej tyre se si mundemi sa më shpejtë ta zhvillojmë edhe më tepër turizmin tonë, sepse mundësitë nuk janë të vogla”, shprehet Jakupi.

Turizmi si degë e rëndësishme e industrisë, për çdo vit shënon rekorde në zhvillimin e vet, kurse në shumë vende është ndër degët kryesore ekonomike. Kumanova me komunat e Likovës dhe Nagoriçit ende janë larg këtyre rekordeve, por kjo nuk duhet të shërbejë si shkak për dekurajim, por përkundrazi si motiv që gjërat të fillojnë të ndryshojnë me kahje pozitive.

Autor: Diellon Mustafa

Kjo storie gazetareske është përgatitur me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e stories është përgjegjësi vetëm e autorit dhe Qendrës së Zhvillimit të Medias në Komunitet MEDIUM dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian