Gashi takoi ambasadorin e Turqisë dhe Sllovenisë
GASHI – PRESKER: SLLOVENIA GJITHMONË KA VEPRUAR SI AVOKATE E VENDEVE TË RAJONIT PËR TË ARDHMEN E TYRE EVROPIANE SA MË SHPEJT NË BE
Shkup, 19 qershor – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në vend, Gregor Presker.
Siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, duke përshëndetur marrëdhëniet e forta dhe miqësore bilaterale ndërmjet dy vendeve, kryetari Gashi shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme sllovene në arritjen e dy qëllimeve tona strategjike, anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Në të njëjtën kohë, uroi Republikën e Sllovenisë për zgjedhjen e saj anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2024-2025 dhe kontributin e saj si vend i vogël në qëllimet e kësaj organizate. Në aspektin e bashkëpunimit bilateral, e përshëndeti bashkëpunimin e frytshëm dhe të larmishëm midis parlamenteve të të dy vendeve, me dëshirën për të vazhduar intensifikimin e tij në periudhën që vjen.
Ambasadori Presker, duke e uruar për zgjedhjen në funksionin kryetar i Kuvendit dhe duke i uruar punë të suksesshme gjatë mandatit të tij, ritheksoi mbështetjen dhe ndihmën vetëmohuese sllovene në rrugën e reformave për anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.
“Sllovenia gjithmonë ka vepruar si avokate e vendeve të rajonit për të ardhmen e tyre evropiane sa më shpejt në BE, duke marrë parasysh përfitimet pozitive të anëtarësimit të saj”, theksoi Presker.
Si segment i rëndësishëm i bashkëpunimit gjithpërfshirës ishin veçuar investimet sllovene prej 500 milionë euro në vend, ndihma zhvillimore prej 45 milionë euro për projektet në nivel lokal dhe kushtet e ofruara për studimin e rreth 1.500 studentëve nga vendi ynë në Republikën e Sllovenisë.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se ka hapësirë dhe nevojë për avancim të mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë në nivel parlamentar, në fushat me interes të përbashkët, por me theks të veçantë në çështjet evropiane, politikën e jashtme dhe reformat në procesin arsimor.
GASHI TAKON AMBASADORIN TURK, ULUSOJ
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, realizoi takim me ambasadorin turk Fatih Ulusoj me çka ranë dakord që të dy vendet kultivojnë marrëdhënie të shkëlqyera miqësore dhe bashkëpunim.
Siç theksohet në kumtesën e Pres shërbimit të Kuvendit, Gashi falënderoi për mbështetjen e gjithanshme që Republika e Turqisë i ka dhënë vendit tonë që nga pavarësia e deri më tani. Për nivelin e bashkëpunimit të ndërsjellë dëshmon edhe intensiteti i takimeve në nivelin më të lartë.
“Vendet janë të lidhura me lidhje historike dhe kulturore, dhe qytetarët e komunitetit turk në vend janë urë lidhëse midis dy vendeve. Në vendin tonë shënohet rregullisht 21 Dhjetori, Dita e Mësimit në Gjuhën Turke, në të cilën tradicionalisht merr pjesë edhe Kryetari i Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë. Grupet parlamentare për miqësi dhe bashkëpunim janë themeluar dhe funksionojnë me sukses në të dy parlamentet dhe ka bashkëpunim të frytshëm në kuadër të asambleve parlamentare ndërkombëtare”, ka thënë Gashi, citohet në kumtesë.
Në aspektin ekonomik, kulturor dhe arsimor, marrëdhëniet e ndërsjella janë në nivelin më të lartë. Republika e Turqisë është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe vendi që vazhdimisht investon në ekonominë e Maqedonisë në sektorë të ndryshëm dhe paraqitet si partner strategjik investues.
Gjithashtu, Turqia ishte mbështetësi parimor i anëtarësimit tonë në NATO, ku tani jemi aleatë, dhe shpresat janë që së shpejti të dyja vendet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Të dyja palët, madje shprehën bindjen se bashkëpunimi i frytshëm në nivelin më të lartë parlamentar dhe shtetëror do të vazhdojë edhe në përbërjen aktuale parlamentare, me vizita të ndërsjella.