Shqipëri

Kështu e falën Kurban Bajramin besimtarët në Tiranë

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën, por edhe në Shqipëri kremtojnë sot Kurban Bajramin.

Mijëra besimtarë shqiptarë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur Namazin.

Ritin e faljes së Kurban Bajramit besimtarët shqiptarë e kryen edhe në xhamitë e qyteteve kryesore të vendit.Pas urimit për festën, në ligjërimet e tyre ata kërkojnë më shumë paqe dhe harmoni, virtyte të cilat janë mishëruar më së miri deri më tani.

Për nder të kësaj feste, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi të gjithë shqiptarët, ndërsa u lut për më shumë paqe e harmoni.

Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes.

Kremtimi i kësaj dite siç është bërë traditë fillon në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falin namazin.

Sipas fesë myslimane, për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.

Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet.

Në çdo familje myslimane gatuhen ëmbëlsira, të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët, si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.

Vite më parë, kur besimi fetar ishte i ndaluar në Shqipëri, ritet fetare, kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë shume familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste. Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare, kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zotit, në emër të dashurisë për njeriun.