Shqipëri

Ilir Meta thirrje qytetarëve të Fierit: “Merrni çdo mjet kundër këtyre maskarenjve… Mua këtu më keni me kallash në dorë, di të qëlloj mirë”

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur se synimi i ndërtimit të TEC-it në Roskovec është shkatërrimi i blegtorisë dhe bujqësisë, si edhe largimi i banorëve nga zona.

Teksa mori varenë dhe goditi një prej piketave të vendosura, të cilin e quajti termocentral kriminal, Meta bëri thirrje për mobilizim për moslejimin e ndërtimit të TEC-it.

“Mua këtu më keni me kallash në dorë, di të qëlloj mirë, nuk më dridhet dora”, u shpreh presidenti i PL-së, teksa theksoi se “merrni çdo mjet kundër këtyre maskarenjve”.

“Nuk ka nevojë as kjo zonë dhe as Fieri për të bërë një termocentral kriminal, për llogari të Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit, me gjoja letrat e firmës greke, por ka nevojë për të bërë zonë të lirë industriale atje, buzë detit në Fier që të punojnë të rinjtë e të rejat e Fierit.

Qëllimi është shkatërrimi i bujqësisë dhe blegtorisë, largimi juaj prej këtu, që Shqipëria të kthehet në një gropë të madhe termocentralesh kriminale e inceneratorësh që të vjedhin pafund. Qëndresë heroike, edhe këto piketat që kanë vendosur këtu, ku është vareja, merrni çdo mjet kundër këtyre maskarenjve, kundër këtyre pushtuesve.

Edhe armët duhen marrë për të mbrojtur këta kalamaj, mua këtu më keni me kallash në dorë, di të qëlloj mirë, nuk më dridhet dora. Edhe njerëzit kudo ku i keni jashtë, mobilizojë”, tha Ilir Meta.