Ilir Meta del nga SPAK: U pyeta në cilësinë e kundërshtarit të narko-shtetit
Presidenti i Partisë së Lirisë, ka dalë nga ambientet e SPAK ku ndodhej që prej orës 10:20 të ditës së sotme.
Duke folur për gazetarët ai sulmoi sërish kreun e SPAK, Altin Dumani. Ai tha se u pyet në cilësinë e kundërshtarit të narko-shtetit.
“SPAK është kthyer në një parti bashkë qeverisëse të Edi Ramës. Jam pyetur tre orë kot më kot për ata që nuk kanë asnjë lidhje me mua. U pyeta në cilësinë e kundërshtarit të këtij narko shtetit që e mban në këmbë Dum Dumani, që në vend që të hetojë McGonigal dhe të ndalojë Edi Ramën dhe inceneratorët dhe Portin e Durrësit, merret me laraskat dhe përrallat e tij. Tani po iki se kam tryezën, kam sipërmarrjen. Këtë do Dum Dumani. Që mos të merremi me gjë ne, këtë detyrë i ka caktuar Edi Rama Dum Dumanit”, tha Meta.
Ilir Meta u thirr në SPAK një ditë pas Monika Kryemadhit për dosjen e hetimit pasuror. Teksa futej në Prokurorinë e Posaçme, Meta sulmoi Dumanin, një qasje ndryshe nga bashkëshortja e tij, e cila tha se ndahet me Metën për sulmet që adreson ndaj drejtësisë.