Takimi i kryetarit Afrim Gashi me ambasadorin e Republikës së Kosovës, Florian Qehaja
Kryetari Gashi vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës janë në nivel të lartë, me bashkëpunim të frytshëm në shumë fusha. Ai u shpreh i kënaqur që bashkëpunimi parlamentar ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës karakterizohet nga dinamika intensive, si dhe siguria se ky trend do të vazhdojë edhe në përbërjen aktuale parlamentare. Duke iu referuar takimeve të shumta bilaterale, ai e theksoi veçanërisht bashkëpunimin ndërmjet grupeve parlamentare të bashkëpunimit të të dy parlamenteve. Ai nënvizoi se deputetët e të dy vendeve bashkëpunojnë dhe mbështesin me sukses njëri-tjetrin në planin multilateral, në kuadër të asambleve parlamentare ndërkombëtare.
Duke e uruar për zgjedhjen e tij Kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ambasadori Qehaja i uroi suksese Gashit në ushtrimin e këtij funksioni të rëndësishëm dhe shprehu pritjen e tij për thellimin e bashkëpunimit të suksesshëm. Ai u shpreh i kënaqur që Republika e Maqedonisë së Veriut ka qëndrim afirmativ ndaj aderimit të Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat multilaterale dhe rajonale, si dhe mirënjohjen që deputetët nga Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhanë votën në mbështetje të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë.
Gashi dhe Qehaja iu referuan angazhimeve të përbashkëta për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjes infrastrukturore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, ndërsa si prioritet u theksua përfundimi i aksit rrugor Shkup-Bllacë. Bashkëbiseduesit e theksuan nevojën e modernizimit dhe përmirësimit të kapaciteteve të pikave kufitare, duke prezantuar konceptin e kontrolleve të përbashkëta, që në masë shtesë do të lehtësojë komunikimin midis qytetarëve të të dy vendeve dhe komunitetit të biznesit.
Në takim u bisedua për kryesimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJL), si forum i rëndësishëm për dialogun politik dhe diplomatik, në të cilin të gjitha vendet e rajonit janë të përfshira në baza të barabarta. Kryetari Gashi informoi se në kuadër të kryesimit, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të jetë organizator i Sesionit të 11-të Plenar të Asamblesë Parlamentare të PBEJL-së, që do të mbahet nga 18 deri më 20 qershor të këtij viti.
Në fund të takimit, Kryetari Afrim Gashi dhe ambasadori Florian Qehaja shkëmbyen mendime për takime të mundshme në të ardhmen midis deputetëve të kuvendeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.