Maqedoni

Në Tiranë Namazi i Bajramit do falet në shesh, BFI-Shkup: Kemi xhami të mjaftueshme

Në shumë vende të botës, por edhe në rajon, vazhdon tradita e mbledhjes masovike të besimtarëve myslimanë për faljen e namazit të Bajramit në sheshe, salla dhe udhëkryqe të mëdha. Një dëshirë e tillë nuk ka munguar as tek besimtarët myslimanë në vend, të cilët këtë e kanë shprehur disa herë përmes platformave të ndryshme online.

Për të verifikuar se nëse një ide e tillë mund të jetë e realizueshme, TVM2 kërkoi përgjigje nga Bashkësia Fetare Islame.

Sipas tyre, RMV-ja nuk ka nevojë të ndjekë shembullin e këtyre vendeve, pasi që në vend kemi mjaftueshëm xhami, prandaj nuk është e nevojshme që falja e namazit të Bajramit të kryhet në hapësira të mëdha publike.

“Deri tani, mendoj dhe besoj se çdo besimtar që ka pasur dëshirë që ta shprehë përulësinë e tij ndaj Zotit të plotfuqishëm, nëse jo gjatë gjithë vitit, por vetëm një herë në vit, gjatë festës së Bajramit, i ka pasur dyert e hapura në xhamitë e qytetit, lagjes, fshatit etj. Për këtë arsye ,tradicionalisht në shtetin tonë nuk është paraqitur asnjëherë nevoja që ky lloj i namazit, konkretisht namazit të Bajramit të falet në sheshin e qytetit apo në ndonjërën prej sallave sportive siç e thashë më herët…Mirëpo në të ardhmen nëse paraqitet një nevojë e tillë, edhe ne si BFI për t’i plotësuar nevojat, kërkesat dhe dëshirat e besimtarëve tanë, do ta bëjmë një veprim të tillë” – tha Fejzulla Sadiki nga BFI.

BFI-ja nuk e përjashton mundësinë që në një të ardhme të afërt të organizojë faljen e namazit të Bajramit në mënyrë kolektive, megjithatë për këtë duhet edhe të ketë kërkesë zyrtare të dërguar në mënyrë administrative deri tek organet përgjegjëse, myftinitë.

“Ka mundësi, mirëpo ne kemi organet tona, myftinitë tona të cilët angazhohen më së tepërmi me brengat dhe kërkesat dhe nevojat e besimtarëve. Nëse eventualisht besimtarët e sinqertë bëjnë një kërkesë të sinqertë, po ashtu në myftinitë përkatëse ku shprehin brengat, shqetësimet apo nevojat e tyre dhe ata na i përcjellin në mënyrë administrative, institucionale deri tek ne, atëherë s’ka dyshim se ne gjithmonë do të jemi në shërbim të realizimit të nevojave të besimtarëve.” – deklaroi Fejzulla Sadiki nga BFI.

Frymëzimin për faljen e namazit të Bajramit në sheshe, qytetarët e kanë marrë së fundmi edhe nga Shqipëria, e cila vite me radhë bën një organizim të tillë. Besimtarët myslimanë nga RMV-ja, edhe këtë vit do të falin namazin e Bajramit në mënyrë tradicionale në të gjitha xhamitë e vendit.(TVM2)