Kosovë

Haradinaj: Dështim i plotë i Kurtit në procesin e dialogut

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka quajtur dështim të plotë paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti në procesin e dialogut në Bruksel.Haradinaj ka thënë se është e habitshme, pse njohja e Kosovës nuk është prioritet i tij.“Dështim i plotë i kryeministrit Kurti në procesin e dialogut.

Është e habitshme, pse njohja e Kosovës nuk është prioritet i tij. Prioritet i parë i tij na qenka shndërrimi i CEFTA-s në SEFTA. Qesharake. Ashtu si edhe prioriteti i dytë, marrëveshja për paqe mes dy vendeve, e po ashtu edhe qasja për të pagjeturit”, ka shkruar ish-kryeministri në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.Sipas Haradinajt, njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga ky dialog.
“… Njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga ky dialog. Njohja nënkupton edhe paqen, edhe statusin më të avancuar ekonomik, por edhe hap shtigje për zbulimin e të vërtetës për të pagjeturit. Përndryshe, kjo qasje për të biseduar për tema, pa e njohur shtetet njëra tjetrën, siç kishte ndodhur më parë në procesin e dialogut, nuk ka rezultate, e në këtë fazë është edhe e rrezikshme për vendin”, ka shkruar tutje ai.

Sot në Bruksel është zhvilluar rundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.Ky është takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.