Maqedoni

Bekim Sali: Hezitimi i Ali Ahmetit për të bë reforma në parti është i dëmshëm për BDI, shqiptarët dhe shtetin

Kryetari i Alternativës, Bekim Sali, ka reaguar pas mbledhjes që ka mbajtur sot Fronti Evropian në Tetovë.

Sali shkruan se mobilizimi i anëtarësisë nga ana e BDI-së me qëllim që të vijnë në pushtet është tregues për hezitimin që ka Ali Ahmeti për të bërë reforma të brendshme partiake.

“Nxitja e udhëheqësisë së BDI-së për “mobilizimin e anëtarësisë ” për të ardhur në pushtet është tregues për hezitimin e Aliut për të bërë reforma të brendshme partiake. Ky qëndrim është i dëmshëm së pari për BDI-në e pastaj për shqiptarët dhe për shtetin.

Aliu dhe BDI-ja duhet të pranojnë se praktikat korruptive si “Soravia” dhe “Kazinot” janë fajtore për rënien e BDI-së në zonat kryesore shqiptare.

Rrjedhimisht, BDI-ja duhet t’i rikonfigurojë radhët e saj dhe të përpiqet për legjitimitet në mesin e mbështetësve të saj, gjë që do të nxiste një mjedis më të fuqishëm opozitar dhe politik.

Një parti që për 20 vjet pushtet nuk ka arritur ta definojë se çka është legjitimiteti dhe si përkufizohet ai, sepse ka qenë e zënë dhe e kapur në korrupsion, shpëtimin e vetëm për t’u rikthjellur e ka opozitën”, ka shkruar Bekim Sali, kryetar i Alternativës.