BallinaMaqedoni

Raporti i Entit Shtetëror të Statistikës, 433 fëmijë përballen me ligjin, 307 ndëshkohen

Enti Shtetëror i Statistikës raporton për rritje të numrit të të miturve të ndëshkuar për 17.2% gjatë vitit të kaluar në krahasim me vitin 2022. Gjithsej janë ndëshkuar 307 fëmijë, pjesa më e madhe e tyre për vjedhje. Kallëzime janë ngritur për 433 të mitur, shifër kjo e cila flet për ulje të përndjekjeve ligjore të fëmijëve, për 8.5% në krahasim me vitin 2022.
“Gjithsej janë ndëshkuar 307 fëmijë të moshës 14 deri 18 vjeç, nga të cilët 120 për vepra penale kundër pronës, 70 për vepra penale kundër rendit publik, 43 për vepra penale kundër jetës dhe integritetit fizik të personave, 37 për vepra penale kundër sigurisë në trafik.”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Statistikës.
100 fëmijëve të moshës 14 deri më 16 vjeç u janë shqiptuar masa disiplinore, mbikëqyrje të shtuar apo mbikëqyrje institucionale.
Ndërkaq nga 207 të miturit e tjerë të moshës 16 deri më 18 vjeç, katër prej tyre kanë përfunduar në burg, ndërkaq të tjerët iu nënshtrohen masave disiplinore dhe mbikëqyrjeve të shtuara institucionale.
Nga Enti Shtetëror i Statistikës raporton edhe për rënie të shkeljeve të bëra nga persona të rritur për 6.9% gjatë vitit 2023. Gjatë kësaj periudhe është ulur shqiptimi i dënimeve për 16%.
Nga gjithsej 11.574 persona të paraqitur për shkelje, pjesa më e madhe kanë të bëjnë me vepra penale kundër pronës, ndërkaq pjesa tjetër e mbetur fajësohen për vepra kundër sigurisë në trafik, rrezikimin e jetës së njeriut, kundër lirive dhe të drejtave të njeriut, kundër martesës dhe familjes, financat publike dhe vepra kundër lirisë gjinore./TVM2