Ministria e Drejtësisë: Dënojmë gjuhën denigruese të VMRO-së ndaj institucioneve shtetërore
Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj kumtesës së sotme të VMRO-DPMNE-së, në lidhje me përfundimin e mandatit të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, prej ku thanë se “atë ditë që do të largohet Kacarska, do të jetë festë për gjyqësorin e Maqedonisë”.
Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht ministri Krenar Lloga, i bënë thirrje VMRO-DPMNE-së që të ndalojë gjuhën denigruese ndaj institicioneve shtetërore. Nga Ministria thonë se “rruga e konsolidimit të institucioneve demokratike kalon përmes respektimit të tyre nga partitë dhe institucionet respektive”.
“Dënojmë ashpër gjuhën denigruese të partisë politike që pretendon të qeverisë këtë shtet. Sulmi ndaj institucioneve të pavarura është gjuhë e papranueshme për një shtet anëtar të NATO-s, dhe një shtet para anëtarësimit në Bashkimin Europian. Si ministër dhe ministri kemi pasur periudhë të përplasjeve me kryetaren dhe gjykatën kushtetuese, por në asnjë moment kjo nuk mund të devalvojë në gjuhë urrejtjeje dhe kualifikime personale që më vonë shfaqen në rrugë edhe si kërcënime ndaj bartësve të funksioneve publike”.
“Ka ende vendime të gjykatës kushtetuese për të cilat nuk ndajmë vlerësime të njëjta, por në asnjë moment nuk mund të shërbejë si pretekst për kontestim të atyre verdikteve dhe komentim denigrues. Ftojmë partinë politike të VMRO-DPMNE-së që të ngrihet në lartësinë e detyrës që e pret, dhe të mos sillet si në fushata zgjedhore”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.