BallinaMaqedoni

VLEN: Jemi përfaqësues legjitim të shqiptarëve

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut është duke u negociuar dhe Qeveria e re do të përbëhet nga fituesi i bllokut maqedonas dhe fituesi i bllokut shqiptar, janë kundërpërgjigjur nga koalicioni VLEN, në press konferencën e “Frontit Evropian”. VLEN-i, si koalicion i opozitës së bashkuar shqiptare, e konfirmoi në zgjedhjet e 8 majit se është bartës i legjitimitetit etnik të votuesve shqiptarë, theksojnë nga VLEN-i. Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, thotë se BDI-ja dhe “Fronti Evropian” kanë garuar në koalicion multietnik dhe të pretendojë t’i përfaqësojë shqiptarët.

“Sa i përket legjitimitetit, ne jemi të bindur dhe është e sigurt që koalicioni VLEN është përfaqësuesi i vetëm legjitim i shqiptarëve. E dimë që në RMV ka mbi 100 mijë pjesëtarë të komunitetit turk, të cilët ishin pjesë e koalicionit të tij dhe ne nuk mund të vlerësojmë se votat që i ka marrë Ali Ahmeti, të cilat kanë qenë me shumicë, kanë qenë të shqiptarëve apo të komuniteteve tjera dhe kë përfaqëson Ali Ahmeti në këtë koalicion, përfaqëson shqiptarët, romët, turqit, boshnjakët apo kë përfaqëson?”, – deklaroi Bilall Kasami nga VLEN.
Nga VLEN-i po ashtu pyetën se pse BDI-ja gjatë qeverisjes së deritanishme nuk ka gjetur zgjidhje ligjore për përfshirjen e domosdoshme të shqiptarëve në Qeveri, siç është e rregulluar në Kosovë me komunitetin serb?
“Ali Ahmeti pati kohë 10 vite me Gruevskin dhe dy mandate me Qeverinë e LSDM-së që këtë çështje ta institucionalizojë, por nuk e bëri sepse nuk deshi ta bëjë. Përkushtimi i tij ishte korrupsioni, vjedhja dhe rritja e pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij.”, – theksoi Bilall Kasami nga VLEN.
Nga VLEN-i i bëjnë thirrje BDI-së që të sillet si një opozitë e përgjegjshme dhe të mos sakrifikojë perspektivat evropiane të Maqedonisë së Veriut për hir të interesave personale dhe të ngushta partiake. Po ashtu nga VLEN-i ishin kritikë edhe për lëshimin e sallës së Kuvendit nga deputetët e “Frontit Evropian” në momentin e votimit të kryeparlamentarit të ri, Afrim Gashi.
VMRO-DPMNE: Premtimi i parë u plotësua, BDI shkoi në opozitë
Me reagim edhe nga VMRO-DPMNE-ja nga e cila thonë se nuk ka as majorizim as shovinizëm, e as nuk është me rëndësi përse Ahmeti pati ndjenjën e ofendimit. Rëndësi ka se vullneti i shumicës është që BDI-ja të shkojë në opozitë dhe po ballafaqohet me përgjegjësi.
“Nëse shkuarja e BDI-së në opozitë është shkelje e Marrëveshjes Kornizë, atëherë edhe Ali Ahmeti bëri shkelje kur vendosi ta lë VMRO-DPMNE-në jashtë Qeverisë dhe nuk e respektoi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016, kur fitoi VMRO-DPMNE-ja. Do të thotë se respektimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk ka lidhje me faktin nëse BDI-ja është pushtet apo opozitë. Ahmeti duhet të ndalet të sillet si fëmijë qaraman, i cili qan për lodrën që s’është e tij, sepse VMRO-DPMNE-ja nuk është LSDM dhe po ashtu ikja e BDI-së nuk ka lidhje me sjelljen e VMRO-DPMNE-së ndaj shqiptarëve, për arsye se BDI nuk janë vetëm shqiptarët në Maqedoni. BDI është segmenti që i vodhi shqiptarët dhe po ashtu edhe maqedonasit. Nëse Ahmeti mendon se kërkesat e reja etnike antishtetërore  të dokumentit dhe platformës do ta shpëtojë nga shkuarja në opozitë dhe do t’i mbulojë kriminelët e partisë së tij, duhet ta kuptojë se kjo në mënyrë të shpejtë do t’ia mbarojë karrierën. Premtimi i parë u plotësua, BDI shkon në opozitë.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së ndaj press konferencës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti./TVM2