BallinaMaqedoni

Zgjedhja e kryeparlamentarit të ri, partitë me vlerësime të ndara

Propozimi që Afrim Gashi të jetë kryetar i Kuvendit ka përplasur VMRO-DPMNE-në me “Të Majtën”. Kryetari i kësaj të fundit, Dimitar Apasiev, është kundër asaj që një shqiptarë të jetë në krye të Kuvendit dhe seancat t’i udhëheqë në gjuhën shqipe.
“Ne do të jepnim mbështetje që kryetari i Kuvendit të mos jetë shqiptar. Ja, hapur i bëjmë thirrje Mickoskit se do të ketë mbështetje blanko, vetëm të mos “kosovarizohet” përsëri  Parlamenti i Maqedonisë. Është kundërkushtetuese të flitet në ndonjë gjuhë tjetër, përveç se në gjuhën maqedonase kur udhëhiqet seanca.”, – deklaroi Dimitar Apasiev nga “E Majta”.
Mickoski me përgjigje se Apasievi ka pasur ofertën nga VMRO-DPMNE-ja për koalicion parazgjedhor, por prioritet iu ka dhënë gjërave personale.
“Dimitar Apasiev para zgjedhjeve kishte ofertë “blanko” nga VMRO-DPMNE-ja që të kyçet dhe të qëndrojë në anë të bashkimit kombëtar maqedonas. Ai vendosi që më shumë t’i  përkushtohet asaj se ku do të kënaqet verës, në Hurgada apo në Greqi.”, – theksoi Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE-ja.
Ndërkohë koalicioni VLEN vlerëson se “Fronti Evropian” duhet të lë anash politikat ditore dhe të tregojë konstruktivitet.
“Natyra e funksionimit në skenën politike në kuadër të Maqedonisë së Veriut ka qenë që opozita ka qenë kundër përzgjedhjeve të tilla, por për vet faktin se bëhet fjalë për kandidat shqiptar, besoj se ne si Aleancë, asokohe kemi dhënë dëshmi kur kemi mbështetur kandidaturën e z. Talat Xhaferi, si kandidat për kryetar të Kuvendit. Konsideroj se edhe ata e kanë për obligim moral që t’i japin mbështetje Afrim Gashit.”, – u shpreh Rijad Shaqiri nga VLEN.
Nga ana tjetër, “Fronti Evropian” vlerëson se prania e VLEN-it në koalicion qeveritar është jolegjitime dhe mund të prodhojë krizë.
“Nëse ndodh ajo që përflitet në opinion se do të ketë koalicion mes VMRO-së dhe VLEN-it besoj se do të na shfaqet problemi i krizës së thellë të legjitimitetit dhe pastaj shtrohet pyetja se çfarë t’i bëjmë ne legjitimitetit që e kemi marrë prej shqiptarëve.”, – theksoi Elmi Aziri nga “Fronti Evropian”.
Këto deklarata, përfaqësuesit e popullit i dhanë para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut./TVM2