Komuna e Sarajit, Gostivarit dhe Aerodromit mund të mbeten pa kryetarët aktualë
Tri komunat që pritet të mbeten pa kryetarë, Saraji, Gostivari dhe Aerodromi, mund të mos shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Edhe pse ligji obligon që të ketë zgjedhje nëse deri në fund të mandatit mbeten më shumë se gjashtë muaj, mësohet se shumica e re parlamentare është e interesuar për zgjatjen e këtij afati. Se do të shqyrtohet kjo mundësi e konfirmoi edhe VMRO DPMNE-ja.
“Kjo është çështje që duhet të hapet pas formimit të Qeverisë së re, me çka do të shqyrtohej nevoja për ndryshime eventuale të ligjit”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Komuna e Sarajit, Gostivarit dhe Aerodromit mund të mbeten pa kryetarët aktualë, si pasojë e zgjedhjeve parlamentare të 8 majit. Deri më tani dorëheqjen e ka konfirmuar vetëm Blerim Bexheti i koalicionit Fronti Evropian, të cilit gjatë ditës së djeshme i është verifikuar mandati për deputet. Nga ana tjetër, Arben Taravari i koalicionit VLEN dhe Timço Mucunski, i VMRO-DPMNE-së janë ministra potencialë në qeverinë e re.
Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, në rastin kur ndalon mandati i një kryetari komune, parashihet shpallje e zgjedhjeve të parakohshme lokale në atë komunë. Zgjedhjet nuk mund të zbatohen nëse deri në zgjedhjet e rregullta të ardhshme ka më pak së gjashtë muaj, por në këtë rast ka më shumë se 1 vit deri në zgjedhjet e rregullta, pasi ato janë të parapara për në tetor të 2025-tës.
Ligji për vetëqeverisje lokale ,Neni 54
“(5) Këshilli, në afat prej 30 ditësh, nga dita e publikimit të vendimit të Qeverisë, prej paragrafit (4) të këtij neni, do të zgjedh një prej anëtarëve të këshillit që do ta kryejë detyrën e kryetarit të komunës, për periudhën deri në zgjedhjen e një kryetari të ri.
(6) Anëtarit të Këshillit I pushon funksioni anëtar I këshillit në kohën e kryerjes së detyrës kryetarë komune
(7) Zgjedhjet prej paragrafit (4) të këtij neni, nuk do të zbatohen nëse deri në afatin e ri zgjedhorë ka më pak se gjashtë muaj”
Në garën për deputet mori pjesë edhe kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili në Kuvend ka dorëzuar deklaratë se heq dorë nga posti i deputetit dhe kërkoi që të mos i verifikohet mandati. /Alsat.mk