BallinaMaqedoni

Gjykata Administrative formoi lëndë për padinë nga Fronti Evropian për vendimin e KSHZ-së për rivotimin në Zhelinë

“Gjykata Administrative njofton opinionin se më 28 maj 2024, pas padisë së Koalicionit FRONTI EVROPIAN për Zgjedhjet Parlamentare 2024 kundër Vendimit UP1 nr. 10-33, datë 27.05.2024, të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të RMV-së, është formuar lënda URP nr. 95/24. Duke pasur parasysh afatet e veprimit dhe vendimmarrjes, Gjykata Administrative ndërmerr me urgjencë të gjitha veprimet procedurale në përputhje me Kodin Zgjedhor”, thekson Gjykata Administrative në një publikim në ueb faqe.

KSHZ pardje në seancë nuk e pranoi ankesën e Frontit Evropian për rivotim në Llarce, ku pas rivotimit, Fronti Evropian humbi një deputet në raport me rezultatet nga 8 maji, ndërsa koalicioni “VLEN” fitoi një mandat deputeti.

Sipas rezultateve fillestare zyrtare pas rivotimit në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 9 për zgjedhjet parlamentare 2024, koalicioni “Maqedonia juaj” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbetet me 58 mandate deputetësh, koalicioni “Fronti evropian” udhëhequr nga BDI humbi një deputet dhe ka 18 mandate deputetësh, njëjtë si koalicioni për Ardhmëri evropiane udhëhequr nga LSDM. Koalicioni “VLEN” pas rivotimit fitoi edhe një deputet më shumë dhe tani ka 14, ndërsa Lëvizja ZNAM për Maqedoninë tonë dhe E Majta nga gjashtë mandate.