3 milionë denarë në vit dhe “s’ka ajër” – Problemet me sistemin e ajrit në QKU “Nënë Tereza”, ‘paralizojnë’ terminet për operime
Problemet me sistemin e ajrit në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” ka bërë që pacientët të presin shumë më gjatë për një termin për operacion, shkruan Alsat.
Akoma nuk dihet se kur do të sanohen defektet, por aktualisht nëpër klinika ekzaminohen vetëm rastet urgjente me rrezik jete.
Por, të sëmurët e zemrës thonë se kanë pritur me muaj për të arritur në termin të operimit dhe tani ju kanë shtyrë pa afat tjetër.
“Kam pritur më shumë se një muaj, jam keq me zemrën dhe mushkëritë e bardha. Gjatë këtij muaji a ke pasur frikë që mund të vështirësohet gjendja? Besa po, se këtë krah kur e lëviz më shkon miza-miza sepse më kanë vënë stendë dhe më bllokohet krejt trupi dhe këmbët miza-miza”, tha një pacient.
“Kam ardhur si rast urgjent, akoma nuk jam operuar por presim të vijë doktori e pastaj të operohem. Nuk e di saktë, edhe për 15-20 do të presim”, u shpreh një pacient tjetër.
“Po kam pritur një muaj e ca për termin! Po çfarë të tha mjeku amë? Nuk e di se un s’jam nga këtu, jam nga Kriva Pallanka, dhe e kisha patjetër të shkoja përmes internistit dhe mjeku kur hap sistemin nuk ka termin të lirë për në Kardiologji”, theksoi një pacient.
Drejtori medicinal i Kardiokirurgjisë Marjan Shokarovski, i shkarkuar një ditë më parë nga kjo pozitë, sot nuk erdhi në punë si doktor, të cilin e prisnin dhjetëra pacientë. U shkarkua edhe udhëheqësja e Programit për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, Aleksandra Eftimova për dyshime të keq-përdorimeve të fondeve të klinikës për pagesa 700 euro mëditje ditore për ekspert trajnues nga Serbia.
“Ekipe të specializuara kanë ardhur në vendngjarje për të detektuar problemet e furnizimeve me ajër të komprimuar nëpër Klinikat kirurgjike dhe ambientet tjera, për të parë për çfarë arsye është bërë pengesë që nuk po zhvillohen operacionet. Ndërkohë akoma nuk dihet kur do të rikthehet gjendja normale e terminëve për operacionet, që janë shtyrë me javë të tëra”, raporton gazetari i Alsat.
Alsat siguroi kontratën e Shërbimeve të përbashkëta të lidhur me kompaninë private “Vinora”, e cila paguhet 3 milion denarë në vit për mirëmbajtjen e këtij sistemi. Nga autoritetet theksuan se oksigjeni vijon të jetë i pa kontaminuar, por dilemat janë te ajri me presion që vë në punë ato pajisjet medicinale.
Drejtori i “Shërbimeve të përbashkëta” të Klinikave Universitare në Shkup, Mirsad Ibraimi ishte i thirrur në mbledhje urgjente në Ministrinë e Shëndetësisë. Nga ky institucion na kumtuan me shkrim.
“Shërbimet e kontraktuara përgjegjëse për mirëmbajtjen e sistemit furnizimit me ajër të klinikave, janë duke punuar në bazat e kompresorëve, të cilët informojnë që nesër do të bëhet sërish pastrimi i gjithë sistemit të ajrit të komprimuar nga 18 sallat operative të kirurgjisë, disa prej të cilave kanë erë të keqe”, thonë nga “Shërbimet e përbashkëta” të Klinikave Universitare në Shkup.
Ministria e Shëndetësisë është në pritje të rezultatit të analizave të ajrit të komprimuar nga Gjermania, megjithëse dy laboratorët vendase kanë treguar se ajri është brenda parametrave normal, por era e keqe ka nxitur dyshime që ai ajër mos të aplikohet gjatë anestezisë së pacientëve, të cilët operohen.