Kolumna

Sa e duan shqiptarët kombëtaren e Maqedonisë?

Është momenti i fundit që politika maqedone, por edhe votuesit e tyre ta dijnë vlerën e shqiptarëve në këtë vend.

Kjo të reflektoj në të drejtat e tyre, por edhe në simbolet e shtetit.

Muhamer Pajaziti

Të dielën kombëtarja e Maqedonisë së Veriut do të debutoj për herë të parë në kampionatin evropian.

Në kombëtare luajnë edhe disa shqiptarë të talentuar dhe pothuajse më meritorët për kualifikimin e vendit, në një garë kaq të rëndësishme ndërkombëtare.

Edhe përskaj këtij fakti, shqiptarët sërish kanë ndenja të përziera, disa politikanë kamuflohen duke dhënë mbështetjen maksimale, për tu dukur më modernë dhe lojal ndaj shtetit, por shqiptarët hallexhinj, që janë më shumicë, nuk e kapërdijnë lehtë këtë kafshatë.

Jo që kemi urrejtje, në si popull asnjëherë skemi ushqyer urrejtje ndaj akujt, por realiteti në terren na krijon këtë ndjenjë, sepse jemi rropatur duke punuar për këtë vend dhe sikundër përgjigje jemi fyer, nënçmuar e sharë.

Si ta duam një shtet, i cili nuk ka bërë pothuajse asgjë për mirëqenien tonë dhe për disa të drejta elementare që mundësojnë një jetë më të dinjitetshme.

Edhe lojtarët shqiptarë në këtë kombëtare kanë ardhur me shumë mundime, djersë e “gjak”.

Sportistët shqiptarë që e kanë përjetuar këtë e dijnë më së miri, bëhesh pjesë e garave, vetëm nëse s’kanë ku të çojnë.

Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur, shqiptarët Indian, shqiptarët kaçak, shqiptarët shtohen si lepuj, këto janë vetëm disa etiketime që janë thënë nga qytetarë, intelektual e politikanë maqedon.

Nuk janë të gjithë të tillë, por shpresoj që ky kampionat të jetë një reflektim për bashkëqytetarët tanë se të bashkuar dhe të barabartë mund të bëjmë shumë më shumë, ndërsa me urrejtje tregojmë primitivizëm dhe ç’njerëzi.

Është momenti i fundit që politika maqedone, por edhe votuesit e tyre ta dijnë vlerën e shqiptarëve në këtë vend.

Kjo të reflektoj në të drejtat e tyre, por edhe në simbolet e shtetit.

Duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se shqiptarët nuk përbëjnë ndonjë rrezik, por janë thesar i çmuar për këtë shtet.