Maqedoni

Më 30 qershor zgjedhje të drejtpërdrejta brendapartiake për kryetar të LSDM-së

Këshilli Ekzekutiv i LSDM-së në seancën e sotme ka marrë Vendim për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brendapartiake për kryetar të LSDM-së më 30 qershor 2024 (e diel), pas tërheqjes së Dimitar Kovaçevskit nga funsksioni.

“Sipas afateve në Statutin e partisë do të ketë një periudhë të mjaftueshme për përgatitjen e kandidaturave dhe programeve, paraqitjen e kandidatëve para anëtarësisë dhe regjistrim aktiv”, qëndron në kumtesën e partisë.

Njëkohësisht, theksohet se në seancën që do të mbahet të enjten, më 30 maj 2024, Këshilli Qendror i LSDM-së duhet të miratojë Rregulloren për kriteret, mënyrën dhe librin e afateve për zbatimin e procedurës në nivel më të lartë demokratik nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Para mbajtjes së seancës i pyetur nëse do të kandidohet për një mandat të ri si kryetar i partisë, Kovaçevski u përgjigj në mënyrë të prerë  se nuk do të kandidohet.

Fatmir Bytyqi, i cili po ashtu dha dorëheqje nga funksioni i nënkryetarit në LSDM, i pyetur nëse planifikon të paraqesë kandidaturën për kryesimin, thotë se është ende herët për këtë.

Edhe Petre Shilegov konsideron se është ende herët për të diskutuar për kandidim dhe se prioritet është se si të ndalen, siç thotë, proceset retrograde që tashmë kanë filluar në shoqëri.

Në pyetjen gazetareske edhe kryetari i Kuvendit dhe anëtar i LSDM-së Jovan Mitreski, para seancës deklaroi se nuk ka ndërmend të kandidohet për kryetar të partisë.

Sllavjanka Petrovska dhe Jovan Despotovski tashmë kanë konfirmuar se planifikojnë të paraqesin kandidaturë, ndërsa në media si kandidatë të mundshëm për kryetar të LSDM-së përmenden Venko Filipçe dhe Stefan Bogoev.

Në seancën e 22 majit Dimitar Kovaçevski edhe zyrtarisht dha dorëheqje nga pozita e liderit. Këshilli  Ekzekutiv i LSDM-së e obligoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në bazë të Statutit të Partisë, që të propozojë rregullore me propozim librin e afateve për realizimin e zgjedhjeve të drejtpërdrejta brendapartiake gjatë muajit qershor në një procedurë transparente dhe demokratike.