Maqedoni

Sensorët për diabet falas, me cilësi të dobët, pacientët ankohen se duhet t’i blejnë vetë

Maqedonia është në nivelin më të ulët sa i përket kujdesit të shtetit për diabetikët, thonë nga Lidhja e Shoqatave të Diabetikëve, të cilët organizuan aktivitet edukativ te “Guaca” në Parkun e Qytetit, ku qytetarët kishin mundësi që ta matin sheqerin. Kryetari Dimçe Velev kërkoi që prokurimi i sensorëve dhe ndihmave të tjera, si shirita dhe glukometra, të bëhet në treg të hapur dhe jo në tender.
“Kërkesa jonë në përgjithësi dhe qëllimi kryesor i të gjitha veprimeve është që të gjithë diabetikët me llojin 1 të marrin sensorë, ndërsa ata me llojin 2, të marrin terapi të re. Ne në listën pozitive, gjatë gjithë kohës themi se marrim vetëm dy ilaçe, të tjerët i blejmë vetë tashmë 7 vjet me radhë. Nëse lista pozitive ndryshohet sipas kritereve të tyre, sipas asaj që e shpalli shteti, do të kemi edhe 7 ose 8 barna të tjera që po i blejmë tani, duhet t’i blejmë përmes Fondit.”, – deklaroi kryetari i Shoqatës së Diabetikëve, Dimçe Velev.
Vogëlushja Jana Kostadinovska ka diabet të tipit 1. Sensorët që ua jep shteti për matjen e glukozës në gjak janë të dobët dhe zgjasin tre ditë në vend të dy javëve. Kostadin Kostadinovski, babai i vajzës 11-vjeçare, Jana Konstadinovska, e cila vuan nga diebeti i tipit 1, thotë se sensorat duhet t’i blejnë vetë, gjë që i kushton mbi 100 euro në muaj, pasi ata që i dhuron shteti prishen menjëherë.
“Epo, ja sensori që kemi nga shteti, pra duhet të zgjasin 14 ditë, por zgjasin 3 ose 4 ditë. Ne e mbushim transmetuesin dhe zgjat 3 ditë, sensori nuk na ka zgjatur më shumë, duhet të zgjasin nga 14, na japin për 14 ditë, domethënë 12 copë për 6 muaj, të cilat në fakt i përdorim për dy javë. Ato që blejmë vetë zgjasin më gjatë. Ka sensorë të mirë për 50 euro dhe zgjasin plot 14 ditë.”, – u shpreh babai i fëmijës me diabet, Kostadin Kostadinovski.
Sensorët lehtësojnë problemet që sjell diabeti dhe kështu kontrollohet më lehtë. Gjendja e fëmijëve mund të monitorohet edhe përmes telefonave inteligjentë. Jana e vogël e përballon me guxim sëmundjen dhe thotë se nuk është e vështirë, por ajo që i mungon më shumë është të hajë diçka të ëmbël. Tani është në klasën e 5-të dhe thotë se nuk ka asnjë problem me shokët në shkollë.
“Nuk kam, askush nuk më ofendon, është si më parë. E kam pak më të vështirë. Po! Më hahet diçka e ëmbël, por ndonjëherë ha nga pak.”, – theksoi fëmija me diabet, Jana Kostadinovska.
Sensorët filluan të jepen në nëntor të vitit të kaluar dhe tani për tani mbulojnë fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 18 vjeçare me diabet të tipit 1, si dhe gratë shtatzëna dhe ata me sëmundje më të rënda.