Tri shqiptare fituan në zgjedhjet lokale në Finlandë, Funda Demiri, rekord votash
Ndër më shumë se një dyzinë e kandidatëve shqiptarë që konkuruan në këto zgjedhje vetëm tre prej tyre mundën të marrin një vend në këshillat komunalë. Të treja fitueset i takojnë spektrit të majtë të politikës dhe janë të angazhuara aktivisht në partitë tyre ku bëjnë pjesë.
Funda Demiri e Partisë Aleanca e Majtë do të jetë anëtare e Këshillit të qytetit të Vantaa-s, pjesë e metropolit të Helsinkit. Demiri është 22 vjeçe dhe e përcakton veten si feministe. Ajo jeton në Martinlaakso dhe punon në administratën e qytetit të Vantaa-s. Me profesion, është infermiere, e specializuar në shëndetin mendor dhe për trajtimin e pacientëve të droguar.
Dedikimi i saj për natyrën, artin dhe komunitetin, angazhimi kundra racizmit dhe përjashtimit, si edhe përfaqësimi dinjitoz që i bën të rinjve ne vendimmarrje e ka bërë të spikatë ndër kandidatët e tjerë dhe të marrë një mbështetje të madhe. Ajo ka fituar 371 vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e shkuara, ose 554 në total.
Studentja Brigita Krasniqi ështe fituese në Tampere me 415 vota. Ajo është një nga presidentet e Forumit Rinor të Partisë së Gjelbërt dhe e përcakton veten si feministe, ambjentaliste dhe e angazhuar kundër diskriminimit. Në qytetin e saj, e majta shënoi humbjen e kryebashkiakut me një diferencë të ngushtë prej 26 votash.
Fituesja e tretë është Albana Mustafi në komunën e Kemi-t në veriperëndim të Finlandës. Ajo grumbulloi 155 vota ose 68 vota më shumë se në zgjedhjet e shkuara. Partia Aleanca e Majtë, ku ajo bën pjesë humbi bastionin e saj në Kemi.
Kandidatët e Kokoomus, Sadri Beqiri dhe Xhemajl Jashanica, përkatësht në qytetet Turku dhe në Vantaa kanë mundur të përzgjidhen si këshilltarë rezervë, pavarësisht se nuk dolën fitues.