Kosovë

Kosovë, presidentja emëron Kreshnik Radoniqin në krye të KQZ-së pas lirimit nga detyra të Valdete Dakës

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, Daka në shumë raste nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe “për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”

Agim Sulaj |
14.06.2021
Kosovë, presidentja emëron Kreshnik Radoniqin në krye të KQZ-së pas lirimit nga detyra të Valdete Dakës Foto: Zyra e Presidentit të Kosovës

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me kompetencat e saj ligjore ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi, si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas ndërprerjes së mandatit të kryesueses së deritanishme të KQZ-së, Valdete Daka, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, Daka në shumë raste nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe “për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”.

“Presidentja Osmani vlerëson se veprimet e kryesueses së KQZ-së nuk duhet të jenë shkak për humbjen e besimit qytetar ndaj institucionit, në veçanti pasi sivjet do të mbahen zgjedhjet lokale”, njofton Zyra e Presidentit të Kosovës.

Tutje, bëhet e ditur se presidentja ka nxjerrë vendimin për lirimin nga detyra të Dakës, duke pasur në konsideratë vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Kosovës, duke emëruar kryesues të ri Kreshnik Radoniqin i cili është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit.

Reagojnë partitë opozitare, PDK dhe AAK

Ndaj vendimit të presidentes Osmani kanë reaguar edhe partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se shkarkimi i kryetares së KQZ-së është “veprim politik i presidentes Osmani nën urdhrat e kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot zbatoi urdhrin politik të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për ta kapur edhe një institucion të pavarur kushtetues të Kosovës, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky është sulm direkt mbi KQZ-në dhe kapje e këtij institucioni”, tha Deliu-Kodra, duke theksuar se veprimi i presidentes Osmani, sipas deputetes Deliu-Kodra, përbënë shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe ndërhyrje flagrante në institucionin e pavarur kushtetues.

Ndërsa AAK veprimin e Osmanit e ka quajtur vazhdimësi të “kapjes së shtetit”.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se shkarkimi i Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, nga Presidentja Osmani, është praktikë e paparë institucionale dhe dëshmon për të satën herë kapjen e shtetit.

Sipas AAK-së, arsyetimet e dhëna për shkarkimin e Dakës janë të pasakta, sepse para shkarkimit i është kërkuar dorëheqja në këmbim të mirënjohjes. Ky është tregues i qartë i mënyrës së qeverisjes qe po tentohet të instalohet në vendin tonë.

Vendimi i presidentes Osmani kundërshtohet edhe nga organizatat e shoqërisë civile

Ky vendim i presidentes ka ngjallur reagimin edhe të organizatave të shoqërisë civile të cilat kanë kundërshtuar shkarkimin e kryetares së KQZ-së.

Në një reagim të përbashkët, Demokracia për Zhvillim (D4D), Demokracia Plus (D+), INDEP, INPO, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Lëvizja FOL, Organizata Nënë Tereza dhe Organizata Çohu dhe Syri i Vizionit kanë theksuar se “ky vendim është i motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit”.

Tutje, këto organizata kanë vlerësuar se argumentet e shtruara nga presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse.

Ata gjithashtu i kanë rikujtuar presidentes se puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve.

“Gjithashtu, marrja e këtij vendimi në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e atyre zgjedhjeve”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

Kryesuesi i KQZ-së emërohet nga presidenti i Kosovës dhe zgjidhet mes gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.