BOTAMaqedoni

Fluturimi i tmerrit, 43 pasagjerë të Singapore Airlines janë ende në spital

43 pasagjerë nga ata që ishin në bordin e avionit të linjës “Singapore Airlines”, që ishte nisur nga Londra por bëri ulje emergjente në Tajlandë, pasi përshkoi një valë turbulencash të forta, mbeten ende të shtruar në spital.
Këta pasagjerë janë ende duke u trajtuar në Bangkok, edhe pse kanë kaluar katër ditë nga incidenti ajror, ku humbi jetën një udhëtar.
“43 pasagjerët po trajtohen në tre spitale të ndryshme”, thuhet në një deklaratë të spitalit Samitivej Srinakarin. Në Samitivej Srinakarin ndodhen 34 nga pacientët dhe shtatë prej tyre që përfshijnë tre australianë, dy malajzianë, një britanik dhe një zelandez janë në kujdes intensiv.
Dy persona u liruan nga Samitivej Srinakarin, ndërsa dy të tjerë nga Spitali Samitivej Sukhumvit u transferuan në Samitivej Srinakarin për të qenë me të afërmit e tyre që po marrin ndihmën mjekësore.
Të enjten, drejtori i Samitivej Srinakarin u tha gazetarëve se 22 pacientë kishin lëndime në shtyllën kurrizore dhe gjashtë pësuan lëndime në tru, por asnjë nuk ishte kërcënuese për jetën.
Avioni Boeing 777-300ER me 211 pasagjerë dhe 18 anëtarë të ekuipazhit në bord, i cili ishte nisur nga aeroporti Heathrow i Londrës dhe po shkonte për në Singapor u ul në Bangkok.