Mitsotakis mesazh “vdekjeprurës” Maqedonisë: Kur dikush tërheq litarin, duhet të jetë gati dhe të mbytet
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i ka dërguar sërish mesazh lidershipit politik dhe shtetëror të Maqedonisë së Veriut pas qëndrimit sfidues për ta quajtur vendin “Maqedoni”.
“Kur dikush e tërheq litarin, duhet të jetë gati dhe të mbytet”, – ka thënë Mitsotakis.
“Dhe nëse del nga kursi i rënë dakord, le ta dijë se do ta gjejë të mbyllur rrugën drejt Europës”, rrugë e cila siç thotë ai “kalon nga Greqia dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare”.
Pas presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska-Davkova, edhe fituesi i zgjedhjeve, Christian Mickoski, këmbëngul në përdorimin e termit “Maqedoni”. Kryetari i VMRO-së i cili do të jetë kryeministri i ardhshëm i shtetit fqinj, në shkelje të marrëveshjes së Prespës ka zgjedhur që të mos i referohet vendit të tij si Maqedoni e Veriut. Sipas lidershipit të ri, kjo është një e drejtë e tyre për ta quajtur vendin siç ato duan. Kjo ka nxitur debate mes dy vendeve.