BallinaMaqedoni

Shkollat në Tetovë ende nuk funksionojnë me një ndërrim siç u premtua, Kasami fajëson Ministrinë e Arsimit

Shkollat në Tetovë ende nuk funksionojnë me një ndërrim siç u premtua nga kryetari i Komunës Tetovës, Bilall Kasami. Mos-përmbushjen e këtij premtimi të dhënë gjatë fushatës zgjedhore, e arsyeton me atë se, sipas tij, nuk kanë pasur bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë, shkruan Portalb.mk.

Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasamit, premtohet se shkollat në Tetovë do funksionojnë me një ndërrim dhe se do të ndërtohen objekte të reja.

Te pjesa e arsimit, konkretisht në faqe 7 thuhet:

“Afatmesëm do të ndërtojmë politika ku të gjithë shkollat fillore të jenë me një ndërrim, duke ndërtuar objekte të reja shkollore në qytet dhe fshatrat e malësisë.”

Megjithatë, gati tre vite më pas që nga ndryshimi i udhëheqësisë komunale, ky premtim nuk është realizuar ende.

Portalb.mk pyeti Kasamin se pse nuk është bërë kjo ende. Ai tha se kjo nuk ka mundur të realizohet me Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë tani më në largim.

“Sigurisht që nuk është bërë me një ministri dhe Qeveri të dështuar si ajo që ka qenë, nuk ka qenë e mundur të bëhet. Tanimë ne do të kemi një ndër prioritetet tona edhe në bashkëpunimin në kuadër të Qeverisë që në Komunë të Tetovës sa më shumë shkolla dhe sa më shpejtë ta realizojmë procesin e mësimit gjithë-ditor, për çka në pjesën më të madhe të shkollave ne veç më e kemi planin se sa objekte shkollore duhet të ndërtohen”, tha Kasami.

Ai theksoi se për shkollat e mesme janë në përpilim edhe të projekteve për ndërtimin e objekteve shkollore.

“Besojmë që në mandatin e ardhshëm të Qeverisë do të arrijmë që përfundimisht në Tetovë edhe shkollat fillore dhe të mesme të jenë me një ndërrim”, tha Kasami.

Kërkuam qëndrimin e Ministrisë së Arsimit për këtë deklaratë të Kasamit, por nga atje nuk na u përgjigjën.

Ndryshe, në Komunën e Tetovës funksionojnë 6 shkolla të mesme dhe mbi 12 shkolla fillore.