BallinaMaqedoni

Bisedimet mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, deri më 20 qershor pritet të formohet qeveria e re

Vazhdojnë negociatat mes grupeve të punës mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit të partive shqiptare VLEN, për formimin e përbërjes së re qeveritare. Deri më 20 qershor më së voni pritet të formohet qeveria e ardhshme mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, ndërsa ka gjasa që në këtë përbërje të bashkëngjitet edhe Lëvizja “E di” e Maksim Dimitrievskit.
Kështu ka shkruar deputeti dhe anëtari i komisionit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, në rrjetet sociale edhe pse deri në këto momente nuk ka konfirmim zyrtar se po zhvillohen bisedime mes Dimitrievskit dhe subjekteve politike.
Në postimin e Milloshovskit, përveç pritshmërive rreth formimit të qeverisë së re dhe pjesëmarrësve të ardhshëm në të, vlerësoi se rivotimi i djeshëm në njësinë e 5-të dhe të 6-të zgjedhore sjell ndryshim të vogël, por shumë domethënës në rregullimin e mandateve parlamentare në përbërjen e ardhshme parlamentare.
Ndërkohë Arben Taravari, si një prej liderëve të VLENI-it, për Agjencinë e Lajmeve Informative MIA, tha se brenda këtyre dy ditëve do të shpallet marrëveshja përfundimtare mes partnerëve të ardhshëm qeveritar VLEN- VMRO-DPMNE. Tha se deri në këto momente ende nuk është biseduar për ndarjen e drejtorive, ndërsa sa i përket ministrive, Taravari tha se atij do t’i takojë vendi i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, ministri i Shëndetësisë, dy zëvendësministra në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Bujqësisë, si dhe dy sekretarë shtetëror. I pyetur nëse do të jetë ministri i ardhshëm i Shëndetësisë, Taravari tha se ende nuk ka vendosur dhe është duke menduar nëse do ta pranojë këtë pozitë ose jo.
Në ndërkohë në LSDM nuk ka asnjë zhvillim të ri pas dorëheqjes së kryetarit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Nga LSDM-ja thonë vetëm se kanë konfirmuar dorëheqjen e Kovaçevskit si akt i lartë moral ku në të kërkohet që të thirret kongresi i partisë për të organizuar zgjedhje brendapartiake.
Deri në këto momente, kandidatë zyrtar për kryetar të ri të LSDM-së është ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe drejtori i drejtorisë për Zonat Zhvillimore Teknologjike – Industriale, Jovan Despotovski.