BallinaMaqedoni

Shatri: Kompanitë serbe përmes Maqedonisë po i rieksportojnë mallrat e tyre në Kosovë

Ish-ministri kosovar i Financave, Haki Shatri, ka thënë se mallrat ende vazhdojnë të futen ilegalisht në Kosovë nga Serbia.

Ai ka thënë se jo vetëm serbët, por në futjen e mallrave ilegalisht kanë gisht edhe bizneset shqiptare.

“Prej që është marrë vendimi për mallrat serbe ka indikacione se kompanitë serbe e hapin një përfaqësi në Maqedoni dhe ja vënë etiketën që është produkt i Maqedonisë dhe i njëjti mall vjen me etiketë të Maqedonisë. Ne e shohim flamurin e Maqedonisë në raftet tona”, ka thënë Shatri.

Shatri: Duhet ndaluar vetëm futja në të zezë e dinarit

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, derisa është deklaruar rreth çështjes së dinarit dhe “ekonomisë së zezë” në veri të vendit, ka thënë se duhet ndaluar vetëm futja në të zezë e këtyre mjeteve brenda territorit të Kosovës.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Shatri ka thënë se ajo që duhet të luftohet është vetëm pjesa që futet si e padeklaruar nëpër rrugë ilegale me qëllime të dyshimta.

“Ajo që duhet të luftohet është pjesa që vjen e padeklaruar nëpër rrugë ilegale dhe që destinohet për qëllime të dyshimta ose keqbërëse, fjala është për financim të grupeve kriminale, për armatime, për qarkullim të mallrave të paligjshme etj. Kurse pjesa e pensioneve, pagave që marrin shumica e nëpunësve që punojnë në institucionet tona, marrin edhe një pagë nga shteti i Serbisë”, ka thënë Shatri.

Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka arritur ta luajë mirë rolin e viktimës para faktorit ndërkombëtar lidhur me këtë çështje.

“Te faktori ndërkombëtar pjesa e humanizmit ka ndikuar, është rritur ndjeshmëria sepse (presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq) ka ditur ta luajë rolin e viktimës, e ka shitur para faktorit ndërkombëtar”, është shprehur ai.