Kosovë/ Mbyllja e institucioneve financiare, Franca i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të ndalojë çdo veprim të mëtejshëm në veri
Franca ka shprehur shqetësime pas aksionit të fundit të policisë së Kosovës, i cili rezultoi në mbylljen e disa institucioneve financiare serbe në veri të vendit.
Në një deklaratë të fundit, zyrtarët francezë vunë në dukje se këto veprime të njëanshme mund të kontribuojnë në përshkallëzimin e tensioneve aktuale dhe të rrezikojnë progresin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Veprimet e tilla janë kritikuar për ndikimin që kanë në jetën e përditshme të komuniteteve serbe në Kosovë dhe pritet të kenë një impakt negativ në përpjekjet për të ashpërsuar normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve”.
“Kjo situatë vjen si pengesë për përparimin drejt integrimit evropian, i cili përcaktohet si një synim kyç për të dyja palët”, thuhet në njoftim.
Franca i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndalojë çdo veprim të mëtejshëm që mund të interpretohet si i njëanshëm dhe të ndikojë negativisht në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Për më tepër, Franca i inkurajon të dyja palët të vazhdojnë përpjekjet e tyre në tryezën e negociatave dhe të përqendrohen në propozimin e fundit të kompromisit, i cili ofron një platformë për zgjidhjen e çështjeve të ndërlidhura me transferet financiare nga Serbia për përfituesit në Kosovë.
“Koordinimi dhe dialogu mbeten thelbësorë për zgjidhjen e kësaj situate, dhe Franca vazhdon të mbështesë një qasje konstruktive që synon të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme dhe paqësore për rajonin, në përputhje me parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian”, thuhet në fund.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se është i zhgënjyer me aksionin e policisë së Kosovës në institucionet financiare serbe në veri dhe, sipas tij, ai i përshkallëzon tensionet në zonën e banuar me shumicë serbe.
Edhe Bashkimi Evropian reagoi ngjashëm.
“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, tha zëdhënësi Peter Stano.
Këto reagime erdhen pasi policia e Kosovës mbylli gjashtë objekte të institucioneve financiare të Serbisë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë aksionit, PK-ja konfiskoi në total mbi 2.2 milionë euro – në mesin e tyre edhe dinarë, franga dhe dollarë amerikanë e australianë.